Pesha e krizës ekonomike në zgjedhje, sondazhet: Shumica e amerikanëve kanë prioritet financat

Gjithnjë e më pranë zgjedhjeve presidenciale amerikane, vendi ndodhet njëkohësisht i përfshirë nga një krizë e paprecedentë financiare si pasojë e pandemisë. Sondazhet tregojnë se pjesa më e madhe e amerikanëve shohin si prioritet rimëkëmbjen ekonomike të vendit, raporton euronews

Asnjëherë më keq që nga koha e Depresionit të Madh. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës emergjenca shëndetësore – e lidhur me Covid-19 ka shkaktuar krizën ekonomike më të rëndë të 90 viteve të fundit.

Pandemia ka ngrirë pothuajse të gjitha aktivitetet prodhuese, duke ulur fuqinë blerëse dhe si rrjedhojë duke reduktuar konsumin.

Sipas sondazheve të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 79 për qind e votuesve rendisin ekonominë si prioritet në programet elektorale. 68 për qind mendon se shqetësimi më i madh ka lidhje me politikat shëndetësore, transmeton acbnews.al

Në muajin shtator, pak javë para zgjedhjeve presidenciale, 12.5 milion amerikanë rezultonin ende të papunë. Një shifër së cilës kandidati i republikanëve, njëkohësisht presidenti aktual Donald Trump, i përgjigjet duke kërcënuar me recetën ekonomike të demokratëve.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë thekson se bëhet fjalë për një zgjedhje mes ankthit socialist dhe ëndrrës amerikane. Ai premton se nën drejtimin e tij vendi do të ketë një vaksinë të sigurte deri në fund të vitit: Do të mundim virusin e Kinës, do i japim fund pandemisë, do të vendosim ekonominë në nivele të reja të paprecedentë

Nga ana e tij kandidati demokrat Joe Biden vë theksin tek pabarazia fiskale e cila rëndon tek amerikanët. Ai shprehet se 91 nga 500 sipërmarrjet e para amerikane, kanë zero taksa.

Duke iu rikthyer sondazheve ato tregojnë se 46 për qind e amerikanëve kanë probleme financiare. Rreth 33 për qind deklarojnë se i kanë mbaruar kursimet e tyre. Ndërsa 20 % kanë vështirësi të paguajnë qiranë e banesës.

Rimëkëmbja ekonomike globale do të rritet vetëm kur virusi të jetë nën kontroll. Në mes të një krize të paprecedentë, zgjedhjet amerikane do të japin një përgjigje të parë politike për problematikat e reja të shkaktuara nga Covid-19.

SHKARKO APP