Policia holandeze përplaset me protestuesit anti-imigracion në Hagë, përdoret gaz lotsjellës dhe topa uji. 30 në pranga

Policia holandeze përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm anti-immigracion në Hagë të shtunën. Rreth 30 persona u arrestuan dhe dy efektivë policie u lënduan gjatë përplasjeve, ku protestuesit hodhën gurë dhe shishe. Rreth 1,500 persona bllokuan një autostradë që kalon në qytet, ndërsa një makinë policie u dogj, sipas agjencisë së lajmeve holandeze ANP, që citoi burime policore.

Kryeministri Dick Schoof dënoi “imazhet e tronditshme dhe të çuditshme të dhunës pa turp”, duke e quajtur atë “krejtësisht të papranueshme”. Kreu i partisë së djathtë, Geert Uilders, i cili fitoi zgjedhjet e mëparshme në Holandë dhe është në avantazh në sondazhet para votimit më 29 tetor, u ftua të fliste në protestë, por nuk mori pjesë. Ai gjithashtu dënoi dhunën ndaj policisë si “krejtësisht të papranueshme”, duke e quajtur atë punë e “idiotëve”.

Protesta u organizua nga një aktivist i djathtë, duke kërkuar politika më të rrepta migracioni dhe goditje më të fortë ndaj azilkërkuesve. Dhuna shpërtheu kur grupe të mëdha protestuesish, shumë prej të cilëve valëvitnin flamuj holandezë dhe flamuj të lidhur me grupe të djathta ekstreme, teksa u përballën me forcat e sigurisë. Protestuesit thyen edhe xhamat e selisë së partisë të qendrës së majtë D66, që nga e djathta ekstreme shihet si një parti që përfaqëson elitën progresive.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kreu i D66, Rob Jetten, tha se dëmi brenda ishte i madh dhe u bëri thirrje protestuesve të “qëndrojnë larg partive politike”. “Nëse mendoni se mund të na trembni, fatkeqësisht jo. Ne kurrë nuk do të lejojmë që banditë ekstremistë të marrin vendin tonë të bukur,” shkroi ai në rrjetin social X.

Swiss Digital Mobile Reklama

Asnjë person nuk ishte në zyrat e D66 gjatë protestave, sipas zyrtarëve të partisë. Qeveria holandeze u rrëzua në qershor pasi Uilders tërhoqi partinë e tij të djathtë PVV nga koalicioni qeverisës pas një mosmarrëveshjeje mbi migracionin. Mosmarrëveshja erdhi pas kërkesave të Uilders për 10 masa të reja për azilkërkuesit, duke përfshirë ngrirjen e aplikimeve, ndalimin e ndërtimit të qendrave pritëse dhe kufizimin e ribashkimit familjar. Koalicioni qeverisës qëndroi në detyrë për më pak se një vit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?