Pompeo: Do të bashkëpunoj në procesin për shkarkimin e Trump nëse kërkohet me ligj

Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo deklaroi sot se do të ishte i lumtur të dëshmonte dhe të paraqiste dokumente gjatë procesit gjyqësor në Senat për rrëzimin e Donald Trump “nëse kjo ishte e përshtatshme dhe kërkohej me ligj”.

Kryedipplomati amerikan i bëri këto komente gjatë një konference për shtyp në Departamentin e Shtetit, para se Dhoma e Përfaqësuesve të votojë në favor të ngritjes zyrtarisht të akuzave për shkarkim ndaj Presidentit Donald Trump, çka e bën atë presidentin e tretë në historinë e vendit që do të përballet me një gjykim në Senat.

Sipas rregullave të miratuara të martën, Dhoma e Përfaqësuesve pritet të debatojë për gjashtë orë lidhur me akuzat e ngritura ndaj presidentit. Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën për shkak të përpjekjeve të dyshuara për t’i bërë presion Ukrainës që të ndërhynte në zgjedhjet amerikane të 2020-s si dhe për pengim të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Votimi pritet të mbahet sot në mbrëmje, kur presidenti Trump do të jetë duke mbajtur një fjalim gjatë një tubimi fushate në shtetin e Miçiganit.

Ngritja zyrtarisht e akuzave pritet të marrë miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve në kushtet kur demokratët e kontrollojnë atë, por me kundërshtimin e pakicës republikane.

Më pas çështja i kalon për gjykim Senatit proces që pritet të nisë në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit do të nevojiteshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Senatit ndaj dhe nuk ka gjasa që kjo të ndodhë në kushtet kur Senati kontrollohet nga republikanët.

SHKARKO APP