Pompeo konfirmohet si Sekretar i Shtetit

Senati amerikan konfirmoi të enjten zotin Mike Pompeo në postin e sekretarit të shtetit megjithë kundërshtimet e demokratëve, të cilët kanë vënë në pikëpyetje disa qëndrime të tij të vijës së ashpër në politikën e jashtme dhe disa deklarata rreth grupeve të pakicave.

Sekretari i ri Pompeo do të zëvendësojë zotin Rex Tillerson, i cili u shkarkua muajin e kaluar nga Presidenti Donald Trump.

Republikanët ishin të bashkuar në mbështetjen për zotin Pompeo, ndërkohë që demokratët, përveç katër prej tyre, kishin njoftuar se do të votonin kundër konfirmimit.

Demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez i Nju Xhersit, tha se dyshonte që zoti Pompeo “do të ishte i gatshëm të tërhiqej nga instinktet më të këqia të presidentit”, siç u shpreh ai.

Senatori Menendez vuri në dukje se aleatët kryesorë amerikanë po pranojnë miliona refugjatë, dhe shtroi pyetjen: “Çfarë do të thotë ai [Pompeo], ndërkohë që kjo administratë po shkurton programin tonë të refugjatëve, dikur një xhevahir në kurorën e politikës sonë të jashtme?”

Ndërkohë, republikanët i përshëndetën arritjet e zotit Pompeo, nga përfundimi shkëlqyeshëm i Akademisë Ushtarake West Point e deri te studimet e juridikut në Harvard si dhe vitet kur përfaqësonte shtetin e Kansasit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump kohët e fundit dërgoi zotin Pompeon për të zhvilluar bisedime me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un përpara samitit të planifikuar Trump-Kim.

Republikanët theksuan se të gjithë, përveç dy anëtarëve të tyre, votuan për të konfirmuar ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton, në vitin 2009 ndërkohë që të gjithë ata, përveç tre republikanëve të Senatit, mbështetën zotin John Kerry për këtë post në vitin 2013.

SHKARKO APP