Prangoset infermieri 50-vjeçar, vidhte nga spitali dezinfektues, maska, doreza
Një infermier në Itali ka vjedhur furnizimet mjekësore nga spitali, duke i marrë nga pacientët dhe kolegët.
Nuk po flasim për një person me precedent kriminal, ose për dikë që është pjesë e botës së krimit të organizuar: por për një infermier të ndihmës së shpejtë, që ka vjedhur maska, produkte sterilizimi, doreza, garza dhe çdo produkt që gjendet në sasi të kufizuar.
Dëm i madh jo vetëm për kolegët, të cilët çdo ditë duhet të merren me qindra pacientë me koronavirus, por edhe për vetë të sëmurët.
Një krim shumë i rëndë. Ai është dërguar në burgun e Romës në Regina Coeli pasi është arrestuar nga policia.
Ende nuk dihet nëse infermieri i mori dhe i rezervoi për vete këto produkte apo nëse ka tentuar t’i shesë me çmim të lartë në individë privatë.
Burri ishte nën hetim prej disa kohësh dhe u kap në flagrancë në momentin kur po vendoste produktet në makinën e tij gjatë orës së ndërrimit të turnit.
Gjatë kontrollit të makinës ata gjetën shumë materiale sanitare: Garza, pajisje mbrojtëse, si dhe materiale për dezinfektim.
Të gjitha të fshehura. Në përfundim të kontrollit, policët shkuan në shtëpinë e tij në Lariano, ku gjetën produkte të tjera shëndetësor.
Pasi konstatuan se bëhej fjalë për materiale që i përkisnin dhomës së urgjencës, ata e arrestuan. Katër telefona celularë u gjetën gjithashtu në shtëpinë e tij, të gjitha në pronësi të tij. 50-vjeçari tani është në burgun e Regina Coeli.