Presidenca e Izraelit i ka kthyer kryeministrit Benjamin Netanyahu dosjen e kërkesës për falje

Sipas një njoftimi zyrtar, këshilltarja ligjore e presidentit Isaac Herzog, Michal Tzuk, i ka kërkuar Departamentit të Faljeve pranë Ministrisë së Drejtësisë “material shtesë plotësues” për të vijuar vlerësimin profesional të kërkesës.

Kërkohen precedentë për ushtrimin e së drejtës së faljes
Në deklaratë thuhet se Presidenca ka kërkuar informacion mbi raste të mëparshme të ushtrimit të së drejtës së faljes përpara përfundimit të procedurave penale, përfshirë edhe raste të lidhura me iniciativa diplomatike apo marrëveshje për lirimin e pengjeve.
“Pavarësisht dallimeve të qarta mes rasteve, materialet e kërkuara lidhen me vetë ushtrimin e kompetencës së faljes gjatë një procesi ligjor në zhvillim”, thuhet në njoftim. Po ashtu theksohet se kërkesa për informacion shtesë është pjesë e procesit të vlerësimit profesional dhe nuk duhet të interpretohet si qëndrim mbi kërkesën e paraqitur.
Presidenca shton se, pas marrjes së përgjigjeve të kërkuara, shqyrtimi i çështjes do të vijojë sipas procedurave të zakonshme.

Rast i paprecedentë dhe problematik
Më herët gjatë këtij muaji, Departamenti i Faljeve përfundoi një analizë ligjore mbi kërkesën e Netanyahut, duke e cilësuar atë si një rast të veçantë, problematik dhe të paprecedentë.
Sipas këtij vlerësimi, fakti që gjyqi ndaj kryeministrit është ende në zhvillim pa një vendim përfundimtar, pa pranim faji dhe pa shprehje pendese e bën kërkesën të pazakontë.
Departamenti nënvizoi gjithashtu se kërkesa mbështetet kryesisht në argumente të interesit publik që lidhen me diplomacinë dhe sigurinë, fusha që nuk janë drejtpërdrejt në kompetencën e tij për t’u vlerësuar. Njëkohësisht, u paralajmërua se dhënia e faljes në kushte të tilla mund të cenojë parimin e barazisë përpara ligjit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?