“Presidenti që ndau drejtësinë: Nawrocki përballë 46 gjyqtarëve”
Sistemi gjyqësor në Poloni përballet me tensione të reja, pas vendimit të Presidentit Karol Nawrocki për të refuzuar emërimin e 46 gjyqtarëve të propozuar nga qeveria liberale.
Në një postim në platformën X, Nawrocki akuzoi juristët e propozuar se po minojnë sistemin ligjor dhe kushtetues të vendit, duke ndjekur “këshilla të këqija nga Ministri i Drejtësisë”. Ai theksoi se emërimi është një prerogativë presidenciale, ndaj ka të drejtë ta refuzojë.
Ky vendim vjen në kontekstin e një konflikti të hapur me Ministrin e Drejtësisë, Waldemar Žurek, i cili po përpiqet të përmbysë reformat e sistemit gjyqësor të prezantuara nga ish-qeveria e krahut të djathtë, Ligj dhe Drejtësi (PiS). Gjatë mandatit të saj, një Këshill i ri Kombëtar i Gjyqësorit kishte emëruar mbi 3000 gjyqtarë të konsideruar politikisht të afërt me PiS.
Reformat e PiS kanë qenë objekt i kritikave të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, i cili ka paralajmëruar se pavarësia e gjyqësorit në Poloni është në rrezik. Nawrocki, megjithëse i pavarur dhe jo anëtar i PiS, është kritik i BE-së dhe kundërshton reformën e propozuar nga PiS.
Zëdhënësi i qeverisë, Adam Szlapka, deklaroi se Nawrocki po tejkalon kompetencat e tij me këtë refuzim. Ndërkohë, ish-presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Andrzej Zoll, e cilësoi emërimin e gjyqtarëve nga kreu i shtetit si një formalitet, duke theksuar se presidenti nuk ka të drejtë të shqyrtojë përzgjedhjet.
Ministri Žurek reagoi duke thënë: “Deklaratat e Presidentit dhe bashkëpunëtorëve të tij nuk janë shenjë e mirë dhe sugjerojnë se Presidenti dëshiron të marrë pushtetin që nuk i përket atij.”
KOHA JONË SONDAZH

