Presidentja e Moldavisë shpreh shqetësimin: Rusia po përgatit ndërhyrjen në zgjedhjet parlamentare në shtator
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu thotë se Rusia synon të kontrollojë Moldavinë duke ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit. Ajo paralajmëroi se Moska po përgatit mjete politike për të ndikuar rezultatin dhe për të fituar shumicën në Parlamentin e ri. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përgjigj shkurt se Rusia nuk ndërhyn në punët e asnjë vendi. Në konferencën për media pas mbledhjes së këshillit, shefja e shtetit deklaroi se Kremlini do të përdorë disa “instrumente politike” për të rritur gjasat e tij për të siguruar shumicën në Parlamentin e Kishinievit, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 shtatorit.
Ajo tha se këto janë të grupuara në të ashtuquajturin “rrymë sovraniste”, e cila promovon “një alternativë zhvillimi për Moldavinë”, së bashku me euroskepticizmin. Sandu përmendi gjithashtu “rrymën populiste-agresive” të grupit kriminal Shor, e cila përdor skema për blerje votash, rekruton persona të dhunshëm për protesta të paguara kundër qeverisë dhe përfshin grupe të krimit të organizuar për të vandalizuar institucione shtetërore.
Presidentja tha se një nga objektivat është edhe ulja e pjesëmarrjes së diasporës në votime, përmes provokimeve dhe korrupsionit zgjedhor. Autoritetet planifikojnë të hapin një numër rekord prej gati 300 qendrash votimi jashtë vendit. Në rajonin e Transnistrisë dhe në autonominë e Gagauzisë, votuesit do të transportohen në mënyrë të organizuar drejt qendrave të votimit, ndërsa para zgjedhjeve mund të shpërthejë një krizë tjetër energjetike, shtoi ajo.
Sandu paralajmëroi qytetarët se mund të ndëshkohen për blerjen apo shitjen e votës dhe pjesëmarrje në protesta të paguara. Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, paralajmëroi edhe për përfshirjen e projekteve të reja politike që, sipas institucioneve shtetërore, synojnë elektoratin pro-evropian të moderuar.
“Ana politike e mbështetur nga Federata Ruse përfshin kandidatë të pavarur që nuk kontrollohen drejtpërdrejt, por që mbështeten në mënyrë indirekte. Kjo përbën kërcënim për sigurinë dhe sovranitetin e vendit”, deklaroi ajo. Deri më tani, 13 persona i janë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë lista me qëllim mbledhjen e nënshkrimeve për kandidim të pavarur në zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit.
Sipas Sandut, Rusia përdor një sërë mjetesh për të ndikuar procesin zgjedhor, përfshirë financimin ilegal, pastrimin e parave, dezinformimin, sulmet kibernetike dhe protestat e paguara. Ajo shtoi se vetëm përmes kriptovalutave, Moska planifikon të sjellë në Moldavi rreth 100 milionë euro në një periudhë të afërt. /REL/
KOHA JONË SONDAZH

