Presidentja Osmani: Serbia të trajtohet si shtet që nuk bazohet në vlerat evropiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, lëshon thirrjen se Serbia duhet të trajtohet si “shteti që nuk bazohet në vlerat evropiane”.

Gjatë një tryeze të organizuar në Konferencën për Siguri në Mynih, Osmani tha se ndikimi i Rusisë përmes Serbisë është evident. Sipas Osmanit, Kosova po përballet me një shtet “fqinj agresiv dhe destabilizues”.

Presidentja tha se është e nevojshme për një përpjekje të bashkërenduar të bashkësisë ndërkombëtare në raport me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë tryezë u diskutua për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, presidentja Osmani tha se Kosova është e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe se në këtë proces, sipas saj, Prishtina ka dëshmuar konstruktivitet.

“Kosova çdoherë ka kontribuuar për paqen dhe sigurinë afatgjate dhe në dialog ka treguar angazhim aktiv duke dhënë propozime konkrete”, citohet të ketë thënë Osmani, duke shtuar se procesi duhet të përqendrohet në njohjen reciproke “si e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”.

SHKARKO APP