Presidentja Vjosa Osmani në Senatin Amerikan, flet për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në takime nga lideri i shumicës parlamentare në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, senatori Chuck Schumer, kryetari i komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senat, senatori Bon Menendez dhe kryetari i komisionit për punë të brendshme dhe çështje qeveritare në Senat, senatori Gary Peters.
Gjatë takimit me senatorin Chuck Schumer, Osmani diskutoi për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në kohën kur bashkimi i demokracive anekënd botës në betejën kundër autokracive po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
“Presidentja Osmani falënderoi senatorin Schumer për kontributin e tij të deritanishëm ndaj Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për Kosovën në këtë kohë sfiduese për kontinentin tonë”, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Po ashtu, Osmani thuhet se diskutoi për rëndësinë e mbështetjes amerikane në kohën kur rajoni ynë po përballet me sfida të krijuara nga satelitët e Rusisë si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare.