Prodi: BE ka ndryshuar, tani çdo gjë vendoset nga Gjermania
Kriza greke ka nxjerrë në pah jo vetëm problemet e këtij vendi, por edhe si ka ndryshuar Bashkimi Europin.
Ish-kryeministri italian dhe ish-kreu i Komisionit Europian, Romano Prodi, shkruan në një editorial për Messaggero, se Europa dhe Bashkimi Europian e kanë humbur shpirtin. Ai i referohet marrëveshjes së fundit mes Eurogrupit dhe Greqisë, nga e cila, sipas Prodit, kanë dalë të humbur të gjithë.
Prodi shkruan se BE lindi si një bashkim të barabartësh. Por, me kalimin e kohës gjërat kanë ndryshuar.
Prodi thotë se me dobësimin e Francës dhe mundësinë e daljes së Britanisë së Madhe nga BE, tashmë Gjermania ka marrë komandën e BE-së dhe vendos për gjithçka.
“Pas rastit të Greqisë, tashmë do të jetë e vështirë të kemi politika të përbashkëta të BE-së. Bashkimi Europian lindi si një bashkim njerëzish dhe shtetesh me të drejta të barabarta. Por, dobësimi i Francës dhe mundësia e daljes së Britanisë së Madhe nga BE, kanë ndryshuar natyrën e këtij bashkimi. Tani komandon Gjermania”, shkruan Prodi.
Sipas tij, me marrëveshjen e djeshme për momentin Euro është e sigurtë. Por, Prodi shkruan se nëse vazhdohet kështu, gjërat do të përfundojnë keq.