Protesta masive në Serbi, Vuçiç: Nuk do iki si Assadi i Sirisë!
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, akuzoi të martën shërbimet e huaja të zbulimit se po përpiqen ta rrëzojnë atë mes përhapjes së protestave në shtetin ballkanik dhe se ai nuk do të largohej nga vendi si udhëheqësi i rrëzuar sirian Bashar al Assad. Vuçiç postoi një video-mesazh në Instagram duke thënë se “do të luftojë për Serbinë dhe do t’i shërbej vetëm popullit tim serb dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të Serbisë. Nuk do t’u shërbej kurrë të huajve, atyre që kërkojnë të mposhtin, poshtërojnë dhe shkatërrojnë Serbinë”.
Kundërshtarët e udhëheqësit populist e krahasuan atë me Assadin, i cili iku në Moskë pas një përparimi mahnitës të kryengritësve, duke i dhënë fund sundimit të hekurt gjysmë shekullor të familjes së tij. Kundërshtarët e Presidentit Vuçiç në Serbi e kanë krahasuar atë me Assadin dhe diktatorët e tjerë botërorë, duke parashikuar se ai gjithashtu mund të përpiqet të largohet nga vendi nëse humbet kontrollin e tij të fortë mbi pushtetin mes protestave të nxitura nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit me 1 nëntor, që la pas vetes 15 të vdekur.
Protestuesit në Novi Sad, Beograd dhe qytete të tjera serbe thanë se faji për shembjen vdekjeprurëse qëndron në korrupsionin e shfrenuar në vend, që çoi në punime të dobëta në rinovimin e ndërtesës së stacionit në Novi Sad, pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me kompanitë shtetërore kineze, të përfshira në një numër projektesh infrastrukturore në vendin ballkanik. Shembja e çatisë u shndërrua në një vatër nxitëse të pakënaqësisë më të gjerë me sundimin autokratik në rritje të Presidentit Vuçiç, duke pasqyruar kërkesat publike për ndryshime demokratike në vend.
Në postimin e tij, presidenti serb pretendon se protestave në përhapje, të cilave u janë bashkuar së fundmi studentë të universitetit, financohen nga Perëndimi, me qëllimin për ta rrëzuar atë dhe qeverinë e tij nga pushteti “me taktika të ndryshme hibride që përdoren për të dëmtuar vendin”. “Nëse ata mendojnë se jam Assadi dhe se do të ik diku, nuk do ta bëj”, tha ai. Presidenti Vuçiç tha se në ditët dhe javët në vijim, do të shpalosë “në hollësi të plota se sa para janë paguar gjatë katër viteve të fundit për të shkatërruar Serbinë” dhe për ta bërë atë një shtet vasal, “i cili nuk do të merrte vendimet e veta apo të zgjedhë të ardhmen e vet, por në vend të kësaj do të duhej të dëgjonte dhe t’i shërbente dikujt tjetër”.
Vendi ballkanik kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që mban lidhje shumë të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Presidenti Vuçiç, i cili pretendon neutralitetin politik të Serbisë, është zotuar vazhdimisht që të mos i bashkohet kurrë sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Në një lëvizje që mund ta pengojë më tej Serbinë në ambiciet e saj të shpallura për anëtarësim në BE, ligjvënësit e parlamentit kanë filluar të diskutojnë një projektligj që do të krijonte një regjistër të “agjentëve të huaj”, një kopje e një ligji kufizues të miratuar më parë në Rusi. Projektligji synon të rregullojë organizatat dhe individët që marrin më shumë se 50 për qind të financimit të tyre nga burime të huaja. Kritikët si brenda Serbisë ashtu edhe jashtë saj, kanë paralajmëruar se një ligj i tillë mund të stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile, të pengojë operacionet e tyre dhe të kufizojë lirinë e shprehjes. /VOA/