Pse Bashkimi Europian nuk do të bjerë

Nga Albana Bano/Natyrisht që paniku që pasoi daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, bëri që publiku, politikanët dhe njerëzit e shtypit të çlirojnë fantazitë mbi çfarë e pret Unionin. Skenari më ekstrem dhe që i tremb të gjithë është shpërbërja e BE-së.

Kjo është në të vërtetë një mundësi me probabilitet të caktuar, por që për mendimin tim, nuk do të ndodhë. Pse? Ka shumë përgjigje për këtë pyetje. Le të shqyrtojmë tre më të rëndësishmet.

Siguria. Ky do të ishte aspekti më jetik që do të rrezikohej nga shpërbërja hipotetike e Unionit. Konkretisht, nuk ka pothuaj fare gjasa që shthurja e BE-së të mos shoqërohet me kërcënime serioze. Kjo për faktin se copëzimi i Unionit do të linte jo shteg, por fusha të hapura paanë për vërshimin e sigurt dhe triumfues të rivalëve të BE-së, konkretisht të Federatës Ruse. Deri më tani influenca e Rusisë në Europë është frenuar në dy drejtime: në drejtimin e mbrojtjes dhe ushtarak nga NATO dhe në drejtimin politik e ekonomik nga Bashkimi Europian. Një rënie e mundshme e BE-së, do të zbehte fuqinë mbrojtëse nga organizata e Atlantikut Verior, e cila është ngushtësisht e lidhur me fatin e demokracive perëndimore në Europë dhe me Bashkimin Europian në veçanti. Së dyti, ndarja e Unionit sipas shtet-kombeve do të krijonte premisat për riciklimin e çështjeve dhe problemeve të vjetra midis vendeve. Dhe procesi i shpërbërjes së një entiteti gjigant me mbi 508 milionë banorë, nuk do të kalojë lehtë dhe pa konflikte se kush do të dalë më i fituar nga BE-ja. Së treti, kërcënimet që vijnë nga ekstremizmi politik apo deri diku dhe nga ai fetar, janë të përmasave të tilla, sa dhe i gjithë Bashkimi Evropian si një trup unik e ka të vështirë t`i përballojë me sukses dhe në mënyrë të përhershme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ekonomia. Ky aks kyç i/dhe në mbështetje të interesave kombëtare do të dëmtohej në dy drejtime: i pari ka të bëjë me efektet negative të shthurjes së tregut të përbashkët brenda për brenda Europës; dhe i dyti lidhet me konkurrencën në tregjet globale. Parcelizimi i tregut të përbashkët sipas shteteve individuale do të rezultonte në një regres fatkeq për ekonomitë e vendeve anëtare të BE-së. Ky regres do të thotë ringritje e barrierave fizike dhe ligjore midis shteteve, që do të shumëfishonin kostot e bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare, rikthim të politikave proteksioniste, etj. Këto zhvillime do të dëmtonin drejtpërdrejt nivelin dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve evropianë, si dhe të drejtat e tyre të lëvizjes së lirë, akomodimit dhe punësimit brenda hapësirës të përbashkët të Unionit. Një tjetër grup që do të pësonte humbje të mëdha, do të ishin dhe industrialistët e investitorët evropianë të cilët do të privoheshin nga shfrytëzimi i tregut të madh të Unionit, lëvizja e lirë e kapitalit dhe shërbimeve, përdorimi i monedhës së përbashkët, apo liria e sipërmarrjes në tregun e gjerë të BE-së. Së fundi, sistemi monetar do të shembej si pasojë e rënies së monedhës së përbashkët EURO dhe rikthimit në sistemet monetare të para 2002-it. Nga ana tjetër, në një botë kaq dinamike në të cilën sa vijnë e konsolidohen aktorë politikë e ekonomikë të përmasave gjigante si p.sh. Kina, apo ekonomi shumë të avancuara, inovatore dhe të fuqishme si  Japonia, Korea e Jugut, etj, vendet e segmentuara të Bashkimit Europian zor se mund t`i mbijetojnë konkurrencës në mënyrë të qëndrueshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Impakti social. Bashkimi Europian u ngrit si një projekt i paqes, miqësisë dhe lidhjes midis popujve evropianë. Këta popuj u bashkuan rreth vlerave të përbashkëta si demokracia, liria e individit, ekonomia e lirë dhe tregjet e hapura. A mund t`u imponosh më qytetarëve të BE-së izolimin, mbylljen e kufijve, rikthimin në realitetet e një të shkuare që shumica e popullsisë së gjashtë vendeve themeluese të Bashkimit Evropian e njeh vetëm nga librat e historisë? A mund të ngresh mure që të ndajnë nga fqinjët në një kohë kur bota e tërë shkon drejt hapjes, integrimit dhe rrëzimit të kufijve? Vështirë se këto ndasi dhe politika përçarëse do të fitonin përkrahjen e gjermanëve, italianëve, apo francezëve që kanë rreth 60 vjet që jetojnë në komfortin e lëvizjes së lirë, të mirëqenies që sjell ekonomia e  tregut, paqes dhe stabilitetit.

Për këto arsye, mendoj se Bashkimi Europian nuk do të ketë zgjidhje tjetër, veçse të konsolidojë kompaktësinë dhe të kompensojë shkëputjen e Mbretërisë së Bashkuar me thellimin e integrimit të brendshëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?