Pse në Vatikan u krijua Komisioni për Inteligjencën artificiale?! -“Shqetësimi i Kishës për dinjitetin e çdo qenieje njerëzore”
Ashtu si revolucioni industrial “kërkonte alfabetizimin bazë për t’i ndihmuar njerëzit t’i përgjigjen të rejave”, ashtu edhe “revolucioni dixhital kërkon alfabetizim dixhital” për të ndihmuar burrat e gratë e sotme. Papa Leoni XIV e shkroi këtë janarin e kaluar në Mesazhin për Ditën e 60-të Botërore të Komunikimit, që kremtohet sot, duke theksuar edhe një herë se tema është në zemër të Papnisë së tij. Dje, me një hap konkret përpara, Papa miratoi, në Vatikan, krijimin e një Komisioni ndërdikasterial për Inteligjencën Artificiale, me kërkesë të Kardinalit Michael Czerny, Prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Integruar Njerëzor. Ky organ, sipas Kushtetutës Apostolike Praedicate Evangelium, mund të krijohet nga një kryetar dikasteri për të “trajtuar çështje me kompetencë të përzier që kërkojnë konsultime të shpeshta e të ndërsjellta”.
Më saktësisht, siç lexohet në reskriptin e nënshkruar nga prefekti, publikuar dje, koordinimi i Komisionit iu besua “për një vit, ndoshta i rinovueshëm”, institucionit të kryesuar nga Czerny. Ndër arsyet që e shtynë Leonin XIV të miratonte krijimin e tij, janë zhvillimi dhe “shpejtimi i fundit” në përdorimin e inteligjencës artificiale, “efektet e saj të mundshme mbi qeniet njerëzore dhe mbi njerëzimin në tërësi” dhe, së fundmi, por jo me më pak rëndësi, “shqetësimi i Kishës për dinjitetin e çdo qenieje njerëzore”.
Konkretisht, organi u krijua për të “lehtësuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin” e “informacionit në lidhje me aktivitetet dhe projektet që lidhen me IA-në”. Përgjegjësitë e institucionit, të cilat do të përfshijnë edhe një përfaqësues nga Dikasteri për Doktrinën e Fesë, Dikasteri për Kulturën dhe Arsimin, Dikasteri për Komunikimin, Akademia Papnore për Jetën, Akademia Papnore e Shkencave dhe Akademia Papnore e Shkencave Sociale, përfshijnë diskutimin e “politikave” për përdorimin e inteligjencës artificiale brenda Selisë së Shenjtë. Sipas restriktit, Papa mund t’ia besojë më pas koordinimin e Komisionit një institucioni tjetër pjesëmarrës, “përsëri për një periudhë prej një viti”.
Është gjithnjë e më e qartë dëshira e Papës Prevost për ta përfshirë Kishën, duke nisur nga organet e Vatikanit, në reflektimin mbi rreziqet dhe potencialin e IA-së, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Ndërgjegjësimi, siç deklaroi Papa amerikan dy ditë pas zgjedhjes së tij gjatë takimit me kardinalët zgjedhës, është se “çështja sociale” aktuale duhet të adresohet në kontekstin e një “revolucioni industrial” të dytë, atë të “zhvillimit të inteligjencës artificiale”. Përgjigja e Kishës, theksoi ai, qëndron tërësisht brenda “trashëgimisë të doktrinës së saj sociale”, e cila mund t’i përgjigjet “sfidave të reja për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe punës”. Jo rastësisht enciklika e parë e Leonit XIV, e cila zakonisht dikton drejtimin programatik të të gjithë papnisë së tij – siç ishte rasti për Papën Françesku me nxitjen apostolike Evangelii Gaudium – mund t’i kushtohet kryesisht IA-së.
Publikimi pritet së shpejti. Prandaj, ndoshta jo shumë larg përvjetorit të enciklikës historike shoqërore të Leonit XIII, Rerum Novarum, të datës 15 maj 1891, për të cilën Prevost nuk e ka fshehur kurrë frymëzimin. Arsimi luan rol themelor në formimin etik të IA-së në sfera të ndryshme të jetës njerëzore dhe të shoqërisë, sipas Papës. Të enjten e kaluar, duke folur në Universitetin La Sapienza, i nxiti të gjithë të “jenë vigjilentë gjatë zhvillimit dhe zbatimit të IA-së në sferat ushtarake dhe civile, në mënyrë që të mos i privojë zgjedhjet njerëzore nga përgjegjësia dhe të keqësojë tragjedinë e konflikteve”. Sepse ruajtja e paqes sot dhe në të ardhmen varet edhe nga edukimi i ndërgjegjeve kritike, shtoi, nga të rinjtë që thirren për të drejtuar kërkimin dhe investimet në drejtim të një ‘pohimi’ radikal ndaj jetës”.
(Nga Avvenire, 17 maj 2026)
R.SH. / Vatikan
KOHA JONË SONDAZH

