Pse njerëzit ende vdesin pa arsye nga SIDA?
Nga Hans Henri P. Kluge (Drejtor Rajonal i OBSH-së për Europën) dhe Robb Butler (Drejtor i Divizionit të Sëmundjeve Transmetuese, Mjedisit dhe Shëndetit, Zyra Rajonale e OBSH-së për Europën)
Kjo ishte pyetja që na bëri në OBSH/Europë një i ri nga rrjeti ynë Youth4Health. Përgjigja jonë, e thjeshtë dhe e trishte: arsyet këtu nuk janë mjekësore. Pengesat më të mëdha që ende mbeten në luftën kundër HIV/AIDS në rajonin tonë, dhe në të vërtetë në pjesën më të madhe të botës sonë, janë politike. Mjedise kufizuese dhe intolerante. Stigmë, diskriminim e madje edhe kriminalizim i transmetimit të HIV. I Mungesë dhe vonesa të implementimit të ndërhyrjeve të bazuara në prova dhe rekomandimeve më të fundit. Sot ne i disponojmë të gjitha mjekimet, mjetet dhe teknologjitë për t’i dhënë fund SIDA-s. Një test HIV pozitiv nuk është më një dënim me vdekje. Përmirësimet dramatike në terapinë antiretrovirale (ART), i lejojnë njerëzit e prekur nga HIV që të bëjnë jetë të shëndetshme dhe të gjatë – veçanërisht nëse ata diagnostikohen herët dhe trajtohen me antiviralët.
Në të vërtetë, më shumë se kurrë njerëzit po marrin medikamente shpëtimtare për jetën. Algoritmet e reja diagnostikuese bëjnë të mundur evidentimin e diagnozës brenda ditës. Testet mund të kryhen në mjediset komunitare ose në shtëpi. Dhe, të mos harrojmë, ne kemi mjete parandaluese shumë efektive si profilaksia para ekspozimit ose PrEP dhe aspak pa rëndësi prezervativët. Kutia jonë e mjeteve për HIV është plot, por përparimi ende mbetet i pabarabartë dhe jo I qendrueshem. Parandalimi, testimi dhe trajtimi nuk po arrijnë ende tek të gjithë njerëzit. Kjo bëhet e qartë po të shikojmë shifrat.
Në Rajonin Europian të OBSH-së, që mbulon 53 vende në Europë dhe Azinë Qendrore, numri i infeksioneve të reja me HIV në vitin 2024 u rrit me 7% krahasuar me vitin 2010. Një ndër dy persona që rezultojnë pozitiv për HIV në të gjithë Rajonin diagnostikohet me vonesë. Gjysma e të gjithë njerëzve që jetojnë me HIV në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore ende nuk marrin ART dhe vetëm 42% kanë arritur ta mbajne vlera nën kontroll të virusit që do të thotë se nuk e transmetojnë më atë. Për t’i dhënë fund një herë e mirë SIDA-s, ne duhet të kapërcejmë pengesat kokëforta dhe të ndërmarrim veprime.
Pikë së pari, vendet duhet ta depolitizojnë reagimin ndaj HIV-it. Nëse i hedhim një sy Europës dhe Azisë Qendrore, shohim se shumë vende ende kanë qasje diskriminuese dhe regresive ndaj kontigjenteve kryesore – duke përfshirë punonjësit e seksit, burrat që bëjnë seks me burra, personat transgjinorë dhe njerëzit që injektojnë drogë – dhe, në përgjithësi, ndaj njerëzve që jetojnë me HIV. Shumë vende ende e trajtojnë shëndetin seksual dhe seksualitetin si një tabu. Ndonëse disa vende kanë përparuar në këtë drejtim, edhe pse ngadalë, të tjera në fakt kanë pësuar regres me kalimin e kohës mes prirjeve dhe modeleve politike jo favorizues (cit> do adaptoja une nese pranohet).
Por mos gaboni: stigma e lidhur me HIV është një problem, në një masë apo në një tjetër, në çdo vend dhe shoqëri.
Ne duhet të sigurojmë që politikat e lidhura me HIV-in të jenë empatike e jo ndëshkuese. Ne duhet t’i trajtojmë njerëzit e rrezikuar, ata që jetojnë me ose të prekur nga HIV me mirësi dhe dinjitet – brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor dhe në komunitet. Ne duhet të krijojmë hapësira të sigurta për njerëzit pavarësisht se kush ose ku janë për të hyrë në shërbimet dhe për ta kthyer në normë testimin. Edukimi dhe ndërgjegjësimi publik në fund të fundit mbeten armët tona më të mira kundër stigmës, duke përfshirë edukimin gjithëpërfshirës seksual të përshtatshëm për moshën, që u siguron të rinjve një bazë për ndjeshmëri, jetë dhe dashuri.
Së dyti, vendet dhe partnerët e zhvillimit duhet të investojnë në përgjigjen ndaj HIV-it për të përdorur inovacione të reja. Në korrik të këtij viti, UNAIDS raportoi se pandemia globale e AIDS-it mund të përfundojë deri në vitin 2030, nëse udhëheqësit rrisin burimet, veçanërisht për parandalimin e HIV-it. Duke i dhënë përparësi qasjeve të kombinuara të parandalimit, ne mund të reduktojmë infektimet e reja. Ne gjithashtu duhet ta mbajmë këmbën në gaz për të arritur “objektivat 95” në të gjithë Rajonin Europian të OBSH-së në tërësi.
Zhvilluar nga UNAIDS si një objektiv per t’u arritur dhe pjese e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, ‘95-95-95’ nënkupton arritjen që së pari, 95% të njerëzve që jetojnë me HIV dinë statusin e tyre, 95% e njerëzve me infeksion HIV të diagnostikuar, janë nën regjim te siguruar trajtimi me ART , dhe 95% të njerëzve që marrin ART të kenë arritur supresimin (vlerat nën normë) të virusit. Ne nuk mund të dominojmë mbi një epidemi 40-vjeçare vetëm me mjete dhe modele të vjetra – të tilla si qasjet joreale për frenimin ndaj seksit ose duke u mbështetur ekskluzivisht te prezervativët kur kemi modele të reja, duke përfshirë PrEP, vetë-testimet dhe gjeneratën e fundit të ART. Vetëm duke vepruar ndryshe mund ta kapërcejmë kurbën.
Së treti, ne duhet të arrijmë tek njerëzit me anë të informacionit, parandalimit, testimit dhe trajtimit. Fakti që shumica e diagnostikimeve të HIV-it bëhen shumë vonë tregon se ne duhet të ndryshojmë strategjitë tona të testimit dhe t’i arrijmë njerëzit shumë më herët. Çdo diagnozë e hershme mund të ndihmojë në parandalimin e gjëndjeve klinike të rënda dhe transmetimin e mëtejshëm. Kjo do të thotë se popullatat kryesore në veçanti duhet të ndihen të sigurta se mund të përfitojnë nga informacioni, parandalimi dhe testimi në mjedise të sigurta. Fakt tronditës mbetet se mjediset e kujdesit shëndetësor dhe personeli, shpesh mund të shfaqin disa nga stigmat dhe diskriminimet më të këqija të lidhura me HIV – duke i trembur njerëzit dhe duke frenuar ata të mos kenë akses në shërbimet shëndetësore që shpëtojnë. Ne duhet të sigurohemi që fushatat ndërgjegjësuese t’u kundërvihen këtyre keqkuptimeve të rrënjosura thellë.
Së fundi, qasja në shërbimet e parandalimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV-in janë të gjitha pjesë e të drejtës së njeriut për shëndet. Të gjithë duhet të kenë akses në shërbimet shëndetësore që i nevojiten, kur dhe ku i nevojiten. Shoqëritë tona i kanë medikamentet dhe mjetet e nevojshme për t’i dhënë fund SIDA-s. Tani ne duhet t’i përdorim ato për t’u siguruar që të gjithë mund të përfitojnë.
Në fillim të vitit 2025, Zyra Rajonale e OBSH-së për Europën do të konsultohet me vendet në rajonin e Europian në lidhje me përpjekjet e përbashkëta për të arritur ‘objektivat 95’. Përpjekjet tona të vazhdueshme për përgjigjen ndaj HIV/AIDS nuk do të qëndrojnë të veçuara, por do të integrohen më gjerësisht në kontrollin e sëmundjeve infektive, duke përfshirë infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme.
Kemi kriza të shumta të shëndetit publik që trokasin në derën tonë, që kërkojnë vëmendje, nga ndryshimi i klimës deri tek rezistenca në rritje ndaj antibiotikëve që shpëtojnë jetë. Këto janë sfida të mëdha, të frikshme, pa përgjigje të lehta – krahasuar me HIV-in ku ne e dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por, a kemi vullnetin politik të nevojshëm për të shtuar përpjekjet ndaj HIV-it? Për të hequr stigmën brenda sektorit shëndetësor? Për të investuar në mënyrë optimale në diagnostikime dhe terapi? Për të arritur sa më mirë tek popullatat kryesore dhe për t’i lidhur ato me vazhdimësinë e kujdesit që u nevojitet?
Në dekadën e ardhshme, pandemia e SIDA-s duhet të kthehet në një kujtim të së kaluarës. Brezat e ardhshëm nuk duhet ta kenë më si shqetësim. Ne duhet të përpiqemi gjithnjë e më shumë për një Rajon dhe një botë ku pyetja “Pse njerëzit ende vdesin nga SIDA?” të kufizohet në librat e historisë – siç duhet të jetë në fund të fundit, edhe vetë HIV.