Publikohet audio kur Turqia paralajmëron avionin rus të ndryshoj kurs
Turqia po përpiqet me çdo kusht të tregojë si përmes regjistrimit audio të paralajmërimeve ndaj avionit rus për të mos shkelur hapësirën e saj ajrore, aq edhe me publikimin e të dhënave të përftuara nga radarët, se rrëzimi i SU-24-tës së Moskës ishte legjitim. “Ndryshoni kurs menjëherë drejt jugut”, dëgjohet të thotë një zë në turqisht. Ankaraja madje pretendon se ka tentuar edhe t`i shpëtojë dy pilotët e bombarduesit rus. Një prej tyre u vra, i qëlluar nga toka prej rebelëve gjatë rënies me parashutë. Tjetri u arrit të shpëtohej pas një misioni 12-orësh të forcave ruse në bashkëpunim me ato speciale siriane, të dërguara menjëherë në zonën e rrëzimit në kërkim të tij. Deklaratat e forta të kapitenit Konstantin Murakhtin ritkhejnë gjendjen fillestare të konfliktit verbal mes dy vendeve, që vazhdojnë të këmbëngulin secili në variantin e tij. “Nuk morëm asnjë paralajmërim nga turqit, as me radio, as vizualisht”, deklaroi kapiteni, i bindur në çdo rast se avioni nuk kishte hyrë në qiellin turk. “E shihja fare mirë në hartë e në tokë se ku ishte kufiri. S`kishte asnjë rrezik që të hynim në Turqi”, shtoi kapiteni. Ankaraja nuk lëkundet nga pozicioni i saj. Kemi dhënë prova konkrete të shkeljes së hapësirës sonë ajrore, u shpreh një zyrtar i lartë. Në këtë pikë, konsiderojmë se nuk ka më asgjë për të diskutuar. Shefi i dipomacisë ruse, Sergei Lavrov, bisedoi për rreth një orë të mërkurën me homologun turk, të cilit, me sa duket, nuk ka ngurruar t`i flasë hapur: “Goditja e avionit rus duket si provokim i planifikuar që përpara. Edhe nëse pretendimet turke se avioni shkeli hapësirën e tyre ajrore do të rezultonin të vërteta, për rrethanat në të cilat flasim, nuk ka asnjë arsye përse ai avion të qëllohej” Incidenti i së martës përbën të parën herë që prej luftës koreane që një vend anëtar i NATO-s rrëzon një avion luftarak rus. Aleanca veriatlantike mbështeti versionin turk të ngjarjeve, por sërish kërkoi zgjidhjen e ngërçit me diplomaci e ulje të tensioneve. Vetë turqit e pranojnë se avioni nuk e shkeli hapësirën e tyre ajrore për më shumë se 17 sekonda, çka ngre pyetje mbi gadishmërinë e madhe për ta shënjestruar, aq më tepër kur vetë koha e qëndrimit dëshmon se bombarduesi rus nuk përbënte asnjë kërcënim. Moska dhe Ankaraja e kanë gjetur veten në kahet e kundërta të konfliktit sirian, me Rusinë që mbështet aleatin e saj të vjetër, presidentin Bashar al-Assad dhe Turqinë, kundërshtare të ashpër, që kërkon largimin e tij nga skena politike e vendit.
KOHA JONË SONDAZH

