Putin: SHBA lojë të dyfishtë, dhe e mbështet dhe e lufton terrorizmin

 

Presidenti rus, Vladimir Putin sulmon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për politikën e ndjekur prej tyre në Lindjen e Mesme, duke e akuzuar direkt Uashingtonin për mbështetje të terrorizmit dhe për lojë të dyfishtë.

Konkretisht, duke folur në forumin vjetor të Valdait në Sochi, ku marrin pjesë analistë e politikanë rusë dhe ndërkombëtarë, shefi i Kremlinit tha se Amerika ishte përpjekur t’i përdorte grupet terroriste si vegël për rrëzimin e regjimeve që nuk pëlqente.

"Është gjithmonë e vështirë të bësh lojë të dyfishtë; t’u shpallësh luftë terroristëve dhe në të njëjtën kohë të përdorësh disa prej grupeve si gurë shahu në favorin tend. Nuk është e nevojshme të luash me fjalë dhe të ndash terroristët në të moderuar dhe jo të moderuar. Dua të di se cili është ndryshimi mes tyre?”, tha Putin.

Ndërkaq, Perëndimi akuzon Moskën se po sulmon grupet e moderuara rebele gjatë fushatës bombarduese në Siri, që sipas Rusisë është kryesisht e fokusuar kundër militantëve të Shtetit Islamik. Por, deklaratat e tij apo të zyrtarëve të tjerë rusë  sugjerojnë se Moska i konsideron si një shënjestër të paligjshme të gjitha grupet e armatosura kundër Bashar al Asadit.  

Nga ana tjetër, presidentit sirian iu rezervua një pritje miqësore të martën në Rusi, ndërsa të enjten Putin ritheksoi se e konsideronte presidentin dhe qeverinë siriane si plotësisht të ligjshme. Sipas tij, Perëndimi po tregohej mendjengushtë duke u fokusuar në figurën e Asadit e duke shpërfillur një kërcënim shumë më të madh, siç është ISIS.

"I ashtuquajturi Shteti Islamik ka marrë në kontroll një pjesë të madhe territori. Si është e mundur kjo? Mendojni pak. Nëse Damasku ose Bagdadi do të pushtohen nga grupet terroriste, ato do të bëhen autoritetet zyrtare dhe do të kenë një pikënisje për zgjerimin global. A e mendon dikush këtë apo jo?", shtoi Putin.

Putin sugjeroi gjithashtu se qeveria siriane do të ishte e gatshme për të bashkëpunuar me grupet rebele që duan të luftojnë kundër ISIS. Lideri rus tha se e kishte pyetur Asadin lidhur me një mundësi të tille dhe se ky i fundit i ishte përgjigjur pozitivisht.  Ai u bëri thirrje grupeve kurde të bashkonin forcat me qeverinë siriane dhe irakiane kundër militantëve të Shtetit Islamik.  

Një sondazh i publikuar të enjten sugjeroi se bombardimet në Siri, kanë ndikuar në rritjen e popullariteti të Putinit.  90 përqind e të intervistuarve e mbështesin atë, ndërsa në vitin 2012, para një fushate kundër opozitës dhe aneksimit të Krimesë, mbështja për të ishte në kuotën e 58.8 përqindëshit.

SHKARKO APP