Putin: Vetëm një i çmendur mund të mendojë që do të sulmojmë NATO-n!

 

Në mes të një klime mjaft të tensionuar mes Rusisë dhe perëndimit, presidenti Vladimir Putin ka rrëfyer në një intervistë për Corriere Della Sera se nuk ka ndërmend të sulmojë vendet e NATO-s, pavarësisht mobilizimit të trupave të të dy palëve përgjatë kufirit të përbashkët të Rusisë me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, sot pjesë të Aleancës së Atlantikut Verior.

“Vetëm një i çmendur apo në ëndërr mund të imagjinojë që Rusia papritur do të sulmojë NATO-n. Ndoshta dikujt mund t’i interesojë që të përhapë këtë frikë. Amerikanët nuk duan që Rusia të afrohet me Europën, por këtë po e them vetëm si hipotezë. Pranë brigjeve të Norvegjisë ka nëndetëse amerikane, predhat e të cilave mund të mbërrijnë në Moskë për 17 minuta. Dhe ju thoni që jemi ne agresivë?!”

Në intervistën e gjatë dhënë për gazetarët e të përditëshmes prestigjoze, Putin pranon se me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik i lidh një rrjet i gjerë energjitik dhe infrastukturor që është prekur nga afrimi i tyre me Bashkimin Europian dhe NATO-n, si dhe shpreh gatishmërinë për të ruajtur marrëdhëniet historike me Greqinë, aq më tepër në këto ditë të vështira për qeverinë helene.

Pavarësisht deklaratave të Putin, marrëdhëniet e Rusisë me perëndimin janë në pikën më të ulët që prej fundit të luftës së ftohtë, ndërsa kriza e Ukrainës ka bërë që ndaj vendit të vendosen sanksione të rënda ekonomike.

SHKARKO APP