Qeveria gjermane përgatit planin për rindërtimin e Ukrainës

Qeveria gjermane do të shtyjë përpara rindërtimin e Ukrainës. Për këtë është përgatitur një plan 15 pikësh. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Zhvillimit, “bëhet fjalë për mobilizimin e sektorit privat për rindërtimin e Ukrainës”. Në Berlin dhe kryeqytetin ukrainas, Kiev ka javë që janë duke u zhvilluar bisedime për një konferencë të ardhshme të rindërtimit të planifikuar më 11 dhe 12 qershor.

Edhe në Londër dhe Lugano ka pasur konferenca të tilla, por nga qarqet qeveritare gjermane thuhet, se në këto konferenca është bërë fjalë vetëm për ndihmat për ekonominë ukrainase, ndërsa në Berlin do të bëhet fjalë për “katër dimensione të rindërtimit”.

Krahas ekonomisë në punimet e konferencës do të luajnë rol edhe diskutimet për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe shkollimin e saj, procesin e anëtarësimit në BE dhe forcimin e komunave dhe bashkive në Ukrainë.

Nevoja e rindërtimit të Ukrainës kap shifrën 400 miliardë dollarëve

Ministria gjermane e Zhvillimit që pas revolucionit në Majdan e ka forcuar ndihmën në nivelin komunal për Ukrainën. “Ne duam të forcojmë atë që ekziston” tha zëdhënësja e ministrisë për DW. Kjo synohet në një kohë, kur Rusia ende godet infrastrukturën ukrainase me raketa dhe sulme me dronë në frontin e lindjes. Fondi Monetar Ndërkombëtar i vlerëson me rreth 400 miliardë dollarë kostot e rindërtimit të Ukrainës.

Me qëllim që kompanitë private të investojnë në Ukrainë, më ato pjesë të vendit, që kërcënohen më pak nga Rusia, ekziston mundësia që kompanitë të aplikojnë për garanci shtetërore. Këtë e mundëson programi i “garantimit të investimeve” i Ministrisë së Zhvillimit, që funksionon si sigurimet. Për Ukrainën ky instrument për sigurimin e investimeve gjermane jashtë vlen edhe për rastin e luftës.

Që do të thotë: nëse ndodh që një bombë ruse shkatërron një fabrikë apo investim të ri të caktuar, Gjermania del garant për pjesën më të madhe të infrastrukturës së shkatërruar, nëse investimi është kategorizuar si i mbrojtur.

Ombrellë mbrojtëse për më shumë se 22 projekte investimi

Ministria e Ekonomisë në Berlin ka miratuar në kuadër të projektit të garantimit të investimeve 53 kërkesa për mbrojtje të investimit. Shumica ishin investime në Ukrainë, 22 investime në vlerë 54,8 milionë euro, thuhet në raportin e agjencisë “investitionsgarantien.de, me porosi të ministrisë.

Ndër investimet që marrin mbrojtjen gjermane në Ukrainë është edhe zgjerimi i mëtejshëm i fabrikës së re për materialet e ndërtimit nga kompania gjermane, Fixit në afërsi të qytetit Lviv. Së bashku me filialin bijë “Kreisel”, prodhuesi i materialeve të ndërtimit ka shumë vite që prodhon në Europën lindore.

Që para sulmit të Rusisë në vitin 2022, kjo kompani kishte filluar me prodhimin me ndërtimin e një fabrike të re në afërsi të Lvivit. Kur Rusia pushtoi Ukrainën ndërtimi i ndërpre. Miratimi i sigurimit të investimit bëri që punimet të vazhdonin sërish.

“Ne kemi besim, se mund të fillojmë këtë vit me punën si provë”, thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë për rajonin lindor, “Region Ost”, Michael Kraus. “Ne duhet të rindërtojmë Ukrainën. Është një vend i bukur me njerëz shumë miqësorë.”

Por lufta e vendosi edhe menaxherin gjerman para sfidës së madhe. Prodhuesit gjermanë të makinerive nuk i dërguan montuesit e tyre në Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Dhe të punësuarit e vet ukrainas, menaxheri Kraus nuk mund t’i dërgonte kaq shpejt tek prodhuesit. Burrat në moshë të re nuk lejoheshin të dilnin nga Ukraina, sepse mund të thirreshin në luftë.

Në fund tre nga punonjësit e tij mundën të specializoheshin në Poloni dhe Gjermani, me qëllim që të vinin në punë makineritë në fabrikën e re. Në fabrikën e dytë të kompanisë, Fixit në Ukrainë priten të punësohen 60 vetë.

Për shkollimin e tyre, Fixit planifikon të ngrejë një akademi kualifikimi me filialin bijë “Kreisel” në Ukrainë. Edhe ky projekt do të mbështetet nga qeveria gjermane me një kredi të butë të Bankës Gjermane për Rindërtimin, KfW./ DW

SHKARKO APP