Qielli i Damaskut ndriçohet nga shpërthimet, sulme me raketa
Një sulm me raketa ka goditur kryeqytetin sirian, Damask, mbrëmjen e kaluar, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Al-Mazeh, një zonë e njohur për ndërtesat e banimit dhe institucionet shtetërore.
Tre raketa thuhet se goditën zonën, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme. Njëra prej raketave ka goditur një ndërtesë apartamentesh, ku dëshmitarët raportojnë një shpërthim të fortë nga një apartament në katin e parë.
Sipas mediave vendase, forcat e sigurisë dhe ambulancat kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të evakuuar banorët dhe për të ndihmuar të plagosurit.
Raportimet flasin për të vdekur dhe të plagosur, megjithëse numri i saktë nuk është konfirmuar. Sipas Jerusalem Post, një grua është plagosur nga shpërthimi, ndërsa ka pasur raportime për një tjetër shpërthim pasues.
Informacione të pakonfirmuara sugjerojnë se sulmi mund të ketë qenë një sulm ajror izraelit, megjithatë autoritetet siriane nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare.
Ky incident vjen në një kohë tensioni të shtuar në rajon, ku shpeshherë raportohen përplasje dhe sulme ajrore.
Banorët e Damaskut janë tronditur nga ngjarja, duke shprehur frikë për sigurinë e tyre. Shumë prej tyre kanë kaluar natën jashtë banesave, të frikësuar nga mundësia e sulmeve të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

