Raporti tronditës, murgeshat shisnin fëmijët jetimë tek të pasurit e priftërinjtë
Një raport tronditës ka ndezur debatet në Gjermani. Murgeshat e Kryepeshkopatës Katolike të Këlnit, u kanë shitur fëmijë jetimë priftërinjve dhe biznesmenëve të pasur për të abuzuar seksualisht me ta gjatë periudhës së viteve 1960-1970.
Gazeta amerikane, “Daily Beast” publikoi një pjesë të raportit prej 560 faqesh që doli si rezultat i hetimit të filluar nga zyra e prokurorit dhe përfundoi muajin e kaluar. Raporti detajon se si ngacmimi seksual dhe abuzimi i fëmijëve në kishën gjermane është bërë sistematik përmes disa murgeshave në një manastir në Speyer.
Në raport thuhet se jetimët janë huazuar, shitur ose përdorur si skllevër seksi për vite me radhë nga priftërinjtë dhe biznesmenët e pasur në vitet 1960-1970. 175 fëmijë, 80% e të cilëve kanë qenë meshkuj mes moshës 8 dhe 14 vjeç, janë ngacmuar për 20 vite dhe disa fëmijëve u është ndaluar qëllimisht të birësohen, ose murgeshat i kanë çuar ata në një shtëpi të veçantë në mënyrë që të vazhdonin t’i shisnin.
Siç thuhet më tej, 80% e abuzuesve kanë vdekur tashmë dhe disa prej tyre më vonë janë larguar nga priftëria. Rainer Maria Woelki, i cili u emërua Kryepeshkop i Këlnit në vitin 2014, akuzohet për mbulimin e rasteve të abuzimit të fëmijëve nga ana e priftërinjve dhe dështimin për të informuar Vatikanin për pretendimet e abuzimit. Kryepeshkopata tani ka në plan të botojë një hetim të ri të rishikuar dhe padyshim të redaktuar rëndë të raportit në Marsit.