Reagim i ashpër nga Evropa pas kërcënimit të Putin-it
Zyrtarët ukrainas dhe evropianë akuzuan sot presidentin rus, Vladimir Putin, se po shfaq interes të rremë për paqe, pas pesë orë bisedimesh me të dërguarit amerikanë në Moskë takime që nuk sollën asnjë shenjë progresi, megjithëse negociatat pritet të vijojnë, sipas AP.
“Udhëheqësi rus duhet t’i japë fund mburrjeve dhe gjakderdhjes, të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të mbështesë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, deklaroi sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i bëri thirrje Putin-it të mos humbasë më kohën e botës.
Këto reagime pasqyrojnë tensionet e larta dhe hendekun e thellë mes Rusisë, nga njëra anë, dhe Ukrainës me aleatët e saj evropianë, nga ana tjetër, lidhur me mënyrën se si duhet të përfundojë lufta që Moska nisi kur pushtoi Ukrainën gati katër vjet më parë.
Një ditë më parë, Putin akuzoi Evropën se po saboton përpjekjet paqësore të udhëhequra nga SHBA-ja dhe paralajmëroi se Rusia do të ishte gati për luftë me Evropën “nëse provokohej”.
Që prej pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, qeveritë evropiane së bashku me SHBA-në kanë dhënë miliarda dollarë mbështetje financiare dhe ushtarake për Kievin. Megjithatë, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka zbutur nivelin e ndihmës dhe po shtyn më shumë drejt nismave për t’i dhënë fund konfliktit.
KOHA JONË SONDAZH

