Republikanët nisin procesin hetimor për shkarkim të Bidenit

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e kanë cilësuar si të suksesshme ditën e parë të hetimeve për shkarkim të presidentit amerikan, Joe Biden.

Mirëpo ekspertët, që kanë qenë dëshmitarë të rastit të iniciuar nga republikanët, kanë thënë se ende nuk ka mjaftueshëm dëshmi për shkarkim. Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka thënë se hetimet lidhen me dyshimet se Hunter Biden është përfshirë në aktivitete të palakueshme biznesore, nga të cilat ka përfituar presidenti.

Shtëpia e Bardhë e ka konsideruar procesin si “pengesë politike”. Hetimet zyrtare për shkarkim u mundësojnë ligjvënësve që të kenë më shumë autoritetet për të hetuar ndonjë sjellje të keqe eventuale. Në seancën e parë, ka qenë Hunter Biden – dhe jo presidenti – që e ka fituar vëmendjen më të madhe.

Republikani James Comer, ka thënë se paneli do të hetojë “dhjetëra dëshmi”, përfshirë emaila dhe të dhëna bankare, të cilat, sipas tij, vërtetojnë “korrupsionin dhe abuzimin” e Joe Bidenit dhe pozitën zyrtare.

“Të paktën 10 herë, Joe Biden e ka gënjyer popullin amerikan se nuk ka folur kurrë me familjen e tij për aktivitetet e tyre biznesore”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të lëshojë urdhra që detyrojnë Hunter Bidenin dhe vëllain e presidentit, James që t’i publikojnë dokumentet bankare për të ardhurat e tyre. Hetimet për shkarkim mund të zgjasin me javë. Ende është shumë herët për të kuptuar nëse hetuesit e Kongresit do të kërkojnë votim në Kongres, për shkarkim të Bidenit, pas përfundimit të seancave. Ndaras, Hunter Biden është akuzuar penalisht për tri shkelje, përfshirë atë se ka gënjyer kur e ka blerë një armë. /REL

SHKARKO APP