Rihapje e kufizuar e Rafahut në sfondin e një armëpushimi të paqëndrueshëm

Autoritetet izraelite pritet të rihapin më vonë sot pikën kufitare Rafah, në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit, e cila ka qenë e mbyllur që nga maji i vitit 2024, me përjashtim të një hapjeje të shkurtër. Megjithatë, kalimi do të lejohet vetëm për këmbësorët dhe nën masa shumë të rrepta sigurie.

Rihapja e Rafahut ishte pjesë e planit të Presidentit amerikan Donald Trump, i pranuar nga qeveria izraelite në tetor, dhe vjen në një moment kur armëpushimi mbetet tejet i brishtë. Të shtunën, sipas mbrojtjes civile në Gaza, nga granatimet izraelite humbën jetën 32 persona, mes tyre gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite deklaroi se sulmet u kryen si reagim ndaj shkeljeve të armëpushimit.

Pika kufitare Rafah përbën të vetmen dalje dhe hyrje të Gazës që nuk administrohet drejtpërdrejt nga Izraeli. Ajo u mbyll pasi forcat izraelite morën kontrollin në maj 2024, ndërsa më parë ishte hapur vetëm për pak kohë në fillim të vitit 2015, gjatë një armëpushimi që më pas u prish.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas agjencisë izraelite COGAT, kalimi do të rihapet më 1 shkurt në të dyja drejtimet, por ekskluzivisht për këmbësorët. Për hyrje apo dalje nga Gaza do të kërkohet një leje sigurie e miratuar paraprakisht nga autoritetet izraelite, në bashkëpunim me Egjiptin dhe nën mbikëqyrjen e misionit të BE-së (EUBAM).

Swiss Digital Mobile Reklama

Një burim egjiptian bëri të ditur për AFP se dita e sotme do të shërbejë për përgatitje dhe organizim logjistik, përfshirë mbërritjen e një delegacioni të Autoritetit Palestinez. Hapja fillestare do të jetë provuese dhe do t’u mundësojë disa të plagosurve që kanë nevojë urgjente për trajtim mjekësor të dalin nga Gaza, përpara funksionimit të plotë që pritet nga e hëna.

Ende nuk ka një marrëveshje për numrin e personave që do të lejohen të kalojnë kufirin. Burime pranë procesit sqarojnë se Egjipti është i gatshëm të pranojë të gjithë palestinezët për të cilët Izraeli jep autorizim.

Ndërkohë, kriza humanitare në Gaza vazhdon të thellohet pas dy vitesh lufte dhe shkatërrimesh masive. Shumë banorë shpresojnë të largohen për arsye shëndetësore ose arsimore. Mohammed Samiya, 33 vjeç, i sëmurë nga dështimi i mëlçisë, thotë se gjendja e tij po përkeqësohet çdo ditë dhe shpreson të udhëtojë jashtë vendit për trajtim. Po ashtu, 18-vjeçarja Safa al-Khawajiri, e cila ka fituar një bursë studimi jashtë vendit, pret me shpresë rihapjen e Rafahut për të realizuar ëndrrat e saj.

OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare humanitare e konsiderojnë hapjen e kalimit thelbësore, por vlerësojnë se kushtet e vendosura nga Izraeli nuk janë të mjaftueshme për të përballuar nevojat në terren. Rihapja ishte parashikuar që në fazën e parë të planit Trump, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit më 10 tetor, por u shty disa herë.

SHBA-të njoftuan në mes të janarit nisjen e fazës së dytë të planit, ndërsa Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të përditshme të armëpushimit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?