Rikthehet makthi i Luftës së Ftohtë

Mikhail Ulyanov i përgjigjet ministrit të Jashtëm ukrainas: “Jemi gati të dërgojmë armët bërthamore në cilëndo pjesë të territorit rus” “Rusia ka të drejtën të vendosë armë bërthamore, nëse është e nevojshme, në cilëndo pjesë të territorit të saj, përfshirë gadishullin e Krimesë, që u aneksua “ilegalisht” sipas BE dhe SHBA vitin që kaloi”. E ka pohuar në një intervistë të dhënë për agjencinë e informacionit Ria Novosti drejtori i Departamentit të mospërhapjes dhe kontrollit të armëve bërthamore, të ministrisë së Jashtme ruse, Mikhail Ulyanov, në përgjigje të deklaratave të ministrit të Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, sipas të cilit dërgimi i armëve bërthamore ruse në Krime do të ishte shkelje e traktatit të mospërhapjes bërthamore.

Më herët, ministri i Mbrojtjes i Rusisë kishte paralajmëruar dërgimin e mundshëm në gadishullin në Detin e Zi të 10 bombarduesve TU­22M3, në gjendje të transportojnë armë bërthamore, por nuk ishte përmendur askund mundësia e armatimit të tyre me mbushje bërthamore. “Dërgimi i armëve bërthamore në Krime, kishte deklaruar Kimkini, do të ishte shkelje e rëndë e angazhimeve ndërkombëtare të Moskës”. Ulyanovi ka kujtuar se programi i mbrojtjes raketore të SHBA “ndikon negativisht” në marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit, dhe diskutimet mes dy vendeve sa i përket armëve bërthamore nuk po japin rezultate pozitive. “Pozicioni ynë për këtë temë është shprehur disa herë. Kemi nevojë për garanci të besueshme, që ky sistem nuk ka si synim frenimin e Rusisë. Por deri tani na kanë thënë se garanci të tilla nuk mund të jepen me shkrim në letër, dhe që sistemi do të krijohet me apo pa mbështetjen e Rusisë”. Një politikë që për funksionarin e lartë rus nuk “favorizon reduktim të mëtejshëm të armëve bërthamore, por përbën një pengesë për carmatimin”.

"Il Giornale"

SHKARKO APP