Rikthehet policia maqedonase në Kumanovë
Një pjesë nga rrugët në Kumanovë prej mbrëmjes së 14 majit janë bllokuar për lëvizjen e mjeteve. Agjencia e lajme maqedonase Mia thotë se është vërejtur prani e rritur e policisë në rrugët “11 Tetori” dhe “Todor Velkov” në qendër të Kumanovës
Në këtë pjesë të qytetit gjenden shumë objekte kyç, institucione shtetërore dhe lokale.
Të punësuarit në institucionet të vendosura në rrugën “11 Tetori” konfirmojnë se gjenden në vendet e tyre të punës dhe se puna zhvillohet pa pengesa.
Zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski për agjencinë maqedonase ka deklaruar se ndërmerren masa për siguri në Kumanovë.
Fundjavën e kaluar në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave” policia zbatoi aksion për shpërbërjen e një grupi të armatosur.
Në aksionin 28 orësh u vranë një numër pjesëtarësh – fillimisht u tha 14, ndërsa më vonë 10 – persona nga grupi i armatosur, 30 u arrestuan dhe për ta u caktua paraburgim 30 ditor dhe është filluar procedurë hetuese.
Gjatë aksionit e humbën jetën 8 policë, ndërsa 37 u lënduan. Komisioni i përbërë prej përfaqësuesve të Qeverisë dhe Komunës së Kumanovës filloi vlerësimin e dëmeve të shtëpive të banorëve në “Lagjen e Trimave” e cila u evakuua në aksion. Qeveria paralajmëroi mbulim 100 për qind të dëmeve.