Rikthehet tmerri ushtarak në Kumanovë
Forca të shumta të policisë dhe ushtrisë maqedonase mësyjnë qytetin e Kumanovës, ku për disa orë patrulluan dhe kontrolluan pikat kryesore të qytetit. Zyrtarisht njoftohet se masat janë shtuar për të pasur nën kontroll situatën. Një javë pas sulmit, qyteza e banuar kryesisht nga shqiptarë mbahet ende nën terror.
Autoblinda, ushtri, mjete të shumta, kontrolle dhe situatë e rëndë, e ngjashme me masat para nisjes së një lufte. Kjo ka qenë gjendja e mëngjesit të djeshëm, ku banorët e Kumanovës janë zgjuar në shoqërinë e madhe të forcave të policisë dhe ushtrisë. I gjithë qyteti i banuar kryesisht nga shqiptarë u rrethua dhe në rrugët kyçe e pranë institucioneve shtetërore patrullonin efektivë të armatosur të policisë dhe ushtrisë. Nuk ka pasur të dhëna për incidente, por sipas mediave në Maqedoni, këto masa janë marrë për të siguruar rendin dhe qetësinë në këtë zonë. Gjithashtu, burimet konfidenciale për disa portale në Maqedoni tregojnë se ka pasur të dhëna se mund të kishte grupe personash të armatosur. Gjithsesi, prania e madhe e punonjësve të policisë dhe ushtrisë ka bërë të rikthehet edhe një herë paniku i madh në popullatën civile. Një pjesë nga rrugët në Kumanovë prej mbrëmjes së të enjtes ishin të bllokuara për lëvizje. Mediat lokale raportojnë se është vërejtur prani e rritur e policisë në rrugët “11 Tetori” dhe “Todor Velkov” në qendër të Kumanovës. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski informoi se po ndërmerren masa për sigurinë në Kumanovë. Sado e madhe ishte prania e policisë dhe forcave speciale ushtarake, përsëri nuk janë shënuar operacione në terren, por prania e forcave policore ka qenë më shumë një demonstrim force. Gjithsesi, këto masa kanë çuar në një frikë të banorëve, të cilët janë detyruar të mbyllen nëpër banesa dhe të mos vijojnë aktivitetin normal të ditës. Fundjavën e kaluar, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë policia kreu një aksion për shpërbërjen e një grupi të armatosur. Në aksionin 28-orësh u vranë 14 persona nga grupi i armatosur, 30 u arrestuan dhe për to u caktua paraburgim 30-ditor dhe është filluar procedurë hetuese. Gjatë aksionit humbën jetën 8 policë, ndërsa 37 të tjerë u lënduan. Komisioni i përbërë prej përfaqësuesve të qeverisë dhe Komunës së Kumanovës filloi vlerësimin e dëmeve të shtëpive të banorëve në “Lagjen e Trimave”, e cila u evakuua në aksion. Qeveria paralajmëroi mbulim 100 për qind të dëmeve. Mirëpo më shumë se dëmet materiale janë ato psikologjike, ku mijëra banorë të Kumanovës për disa orë përjetuan tmerret e një lufte të vërtetë, që për pak mori karakter ndëretnik. Edhe dita e djeshme ka qenë e ngjashme në qytezën e vogël, që përjetoi momente të rënda dhe prania e madhe e forcave ushtarake solli frikë. Pasditen e djeshme forcat kanë qenë më të pakta, por gjithsesi Kumanova mbahet ende nën survejim të plotë. Nga ana tjetër, dëmet e shkaktuara nga luftimet e një jave më parë janë të shumta, çka ka sjellë shkatërrim të banesave dhe materialeve të tjera në shtëpitë e shqiptarëve. Gjithashtu, në qytezën e Kumanovës kanë qenë të shumtë në numër edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, të cilët janë njohur nga afër me situatën dhe dëmet e shkaktuara.
Në Maqedoni gjendja mbetet ende shumë e tensionuar, pasi nuk po konsiderohet më vetëm një konflikt etnik, por një problem mes qeverisë dhe opozitës. Gjithashtu, një numër i madh qytetarësh janë të zhgënjyer nga mënyra e qeverisjes dhe skandalet e shumta si politike ashtu edhe korruptive.