Rrëmbimi i guvernatores, frikë për dhunë gjatë zgjedhjeve
Autoritetet kanë kapur 13 persona, pasi akuzohen se po planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e guvernatores së Miçiganit, Gretchen Whitmer. Plani ku përfshihej jë grup paramilitar i armatosur me armë dhe eksplozivë, ishte planifikuar të zbatohej për të prishur zgjedhjet amerikane dhe për të ngjallur rebelim.
Pranverën e kaluar në Shtetet e Bashkuara shpërthyen protesta kundër masave të sigurisë për pandeminë. Në tubimet përpara godinës qeveritare të shtetit Miçigan në prill dhe maj, disa protestues shprehën dëshpërim për humbjen e të ardhurave. Javën e kaluar, 13 persona u akuzuan për komplot për rrëmbimin e guvernatores në përpjekje për të nxitur një kryengritje të dhunshme përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Disa nga të arrestuarit kishin qenë pjesëmarrës të rregullt në tubimet kundër masave të izolimit, aktivitete këto të organizuara dhe të mbështetura nga operativë politikë me lidhje të forta në spektrin e djathtë, thotë Lisa Graves, e cila drejton një grup studimor të politikave publike.
“Këto grupe të krahut të djathtë po nxisnin përpjekjet për të shfuqizuar urdhrat (për izolimin) dhe duke e quajtur atë tirani. Dhe nuk ishin vetëm ata, por edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara”, thotë Graves. Pas arrestimeve, Whitmer akuzoi Presidentin Donald Trump se “ushqen mosbesimin dhe nxit zemërimin”.
Gjatë këtij viti u panë gjithashtu protesta mbi vrasjet nga policia të qytetarëve afrikano-amerikanë që shpërthejnë në të gjithë vendin, me disa valë dëmtimi të pronës, plaçkitje dhe përplasje me kundër-protestuesit. Votimi i hershëm tashmë është duke u zhvilluar në pjesën më të madhe të Amerikës dhe FBI-ja po përpiqet të garantojë amerikanët për sigurinë e zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje njerëzve të raportojnë krime të dyshuara zgjedhore ose frikësimin e votuesve.