Rrëzohet vendimi i Donald Trump, SHBA ndihmon me 200 milionë dollarë OBSH-në

Shtetet e Bashkuara do të përmbushin obligimin financiar me vlerë 200 milionë dollarë në drejtim të Organizatës Botërore të Shëndetit, njoftoi Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken.

“Ky është një hap kryesor përpara në përmbushjen e detyrimeve tona financiare si anëtar të OBSH-së dhe pasqyron angazhimin tonë të ripërtërirë për të siguruar mbështetjen e nevojshme të OBSH-së për të drejtuar përgjigjen globale ndaj pandemisë”, tha Blinken, duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu ai shtoi:

“Shtetet e Bashkuara besojnë se multilateralizmi, KB dhe OBSH janë thelbësore, jo vetëm si një përgjigje efektive shëndetësore ndërkombëtare dhe humanitare ndaj COVID-19, por gjithashtu edhe për ndërtimin e kapaciteteve më të forta shëndetësore globale dhe sigurisë për të ardhmen”.

Ai vuri në dukje se kjo masë pasqyron angazhimin e ripërtërirë të Shteteve të Bashkuara për të siguruar mbështetjen e nevojshme të menaxhimit të krizës së pandemisë së COVID-19.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë donatori më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shumë vite, por u larguan nga OBSH-ja vitin e kaluar, gjatë mandatit të presidentit, Donald Trump. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden anuloi muajin e kaluar vendimin e tërheqjes nga OBSH-ja.

SHKARKO APP