Rritet numri i viktimave nga tërmeti
Numri i të vdekurve nga një tërmet i dhunshëm që goditi një rajon të largët të Himalajeve të Tibetit në Kinë ka shkuar në 126. Sipas mediave shtetërore kineze, shumë ndërtesa janë shembur në kantonin Dingri.
Tërmeti ka qenë me magnitudë 7.1, ndërsa sipas kinezëve 6.8, është regjistruar në një thellësi prej 10 kilometrash dhe është ndjerë edhe në Katmandu të Nepalit dhe në shtetin verior të Indisë, Bihar.
Epiqendra e tërmetit ndodhej rreth 75 kilometra në veri-lindje të malit Everest, që është një zonë sizmikisht aktive, ku pllakat indiane dhe euroaziatike përplasen dhe shkaktojnë lëkundje të forta në malet e Himalajës.
Në tre orët pas tërmetit, u regjistruan rreth 50 pasgoditje dhe zona piktoreske e malit Everest në anën kineze u mbyll pas tërmetit.