Rusia e Koreja e Veriut bien dakord për bashkëpunim ushtarak
Dy politikanë të lartë rusë vizituan gjatë fundjavës Korenë e Veriut dhe inauguruan një monument përkujtimor për trupat koreano-veriore që humbën jetën duke luftuar kundër Ukrainës. Po ashtu ata biseduan për një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, e cila pritet të zgjasë deri në vitin 2031.
Bashkëpunimi ushtarak, politik dhe ekonomik mes dy vendeve është intensifikuar në kuadër të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Phenianin i ka ofruar mbështetje ushtarake Moskës, veçanërisht për të zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni kufitar rus i Kurskut.
Në qershor të vitit 2024 Moska dhe Pheniani nënshkruan një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë, gjatë një takimi mes Kim Jong Un dhe presidentit rus Vladimir Putin në Phenian.
Ministri rus i Mbrojtjes vlerëson marrëveshjen e re ushtarake
Ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov po zhvillon një vizitë në Korenë e Veriut dhe do të zhvillojë bisedime me Kim dhe zyrtarë të tjerë.
Po ashtu Belousov pritet të zhvillojë takime me udhëheqjen më të lartë të Koresë së Veriut dhe me zyrtarë të lartë ushtarakë, si dhe të marrë pjesë në “ceremoni dhe aktivitete përkujtimore” në kryeqytet. Në fotografitë e publikuara nga Ministria ruse e Mbrojtjes ai shihet duke përqafuar Kim-in.
“Ramë dakord me Ministrinë e Mbrojtjes së RPDK-në që bashkëpunimin tonë ushtarak ta vendosim mbi baza të qëndrueshme dhe afatgjata,” tha Belousov, duke përdorur inicialet e emrit zyrtar të Koresë së Veriut, Republika Popullore Demokratike e Koresë.
“Ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë këtë vit një plan për bashkëpunimin ushtarak ruso-korean për periudhën 2027–2031,” tha ai, në bisedime ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, No Kwang.
Kryetari i Dumës në ceremoninë përkujtmore për ushtarët koreano-veriorë
Andrei Belousov gjithashtu ndau dekorata ushtarake për ushtarët koreano-veriorë që kishin luftuar kundër forcave ukrainase në rajonin kufitar rus të Kurskut, pjesë të të cilit Ukraina i kishte marrë për disa muaj gjatë një kundërofensive.
Koreja e Veriut ka ndërtuar në Phenian një monument për ushtarët e saj të vrarë në luftë kundër Ukrainës.
Vladimir Putini i dërgoi Kim Jong Un një telegram me rastin e inaugurimit, njoftoi Kremlini, duke e falënderuar atë dhe ushtarët për përpjekjet për të ndihmuar për rimarrjen e rajonit të Kurskut nga Rusia.
Kryetari i Dumës Shtetërore, dhoma e ulët e parlamentit rus, Vyaheslav Volodin, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit në kryeqytetin koreano-verior.
Detajet mbi humbjet e trupave koreano-veriore që luftojnë për Rusinë janë të pakta, por sipas vlerësimeve të Koresë së Jugut deri në shtatorin e vitit të kaluar mund të jenë vrarë rreth 2.000 syresh. Nga forcat ukrainase janë kapur vetëm dy ushtarë koreano-veriorë. /DW
KOHA JONË SONDAZH

