Rusia kufizon WhatsApp dhe Telegram, prezanton aplikacionin shtetëror “Max”
Autoritetet ruse kanë vendosur kufizime të reja ndaj dy prej aplikacioneve më të përdorura të komunikimit, WhatsApp dhe Telegram, duke ndërprerë shërbimet e thirrjeve për miliona qytetarë. Vendimi u mor në mes të gushtit nga Roskomnadzor, rregullatori shtetëror i medias dhe internetit.
Këto masa përkojnë me lançimin e aplikacionit të ri “Max”, i zhvilluar nga kompania VK, e lidhur me Gazprom dhe rrethin e ngushtë të presidentit Vladimir Putin përmes miliarderit Yuri Kovalchuk. Që prej 1 shtatorit, “Max” do të jetë i parainstaluar në të gjitha pajisjet e reja elektronike në Rusi.
Platforma synon të shndërrohet në një super-aplikacion me funksione të shumta, duke përfshirë komunikimin, pagesat bankare dhe shërbimet qeveritare, sipas modelit të WeChat-it në Kinë.
WhatsApp dhe Telegram vazhdojnë të mbeten më popullorët në vend, me rreth 97 milionë dhe 90 milionë përdorues respektivisht, sidomos në zonat e largëta ku interneti është i kufizuar. Për këtë arsye, kufizimi i tyre shihet nga analistët si një hap drejt kontrollit më të gjerë të komunikimit privat.
“Autoritetet nuk duan që ne, njerëzit e zakonshëm, të ruajmë ndonjë lloj lidhjeje apo mbështetjeje,” tha Marina, një shkrimtare nga Tula, e cila foli në kushte anonimati nga frika e ndëshkimeve.
Ndërkohë, politika e privatësisë së aplikacionit “Max” parashikon ndarjen e të dhënave të përdoruesve me autoritetet dhe palë të treta, duke ngritur shqetësime serioze për mbikëqyrje shtetërore dhe rrezik të rrjedhjes së informacionit personal.
KOHA JONË SONDAZH

