Rusia paralajmëron aktivizimin e mbrojtjes bërthamore në SHBA
Presidenti amerikan Joe Biden duket se nuk po e mban dot trysninë që po i ushtrohet nga brenda administratës së tij.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet të heqë ndalimin që i ka vënë ushtrisë ukrainase për të përdorur armët amerikane me rreze të gjatë veprimi, për të goditur objektiva brenda territorit rus. Këtë e konfirmojnë për mediat amerikane, burime brenda Shtëpisë së Bardhë.
Moska ka paralajmëruar se përdorimi i armëve të rënda perëndimore nga ushtria ukrainase për të goditur territorin rus, do të konsiderohet si sulm nga vendet e origjinës së këtyre armëve, të cilat do të përballen po ashtu me kundërpërgjigjen e Rusisë, çka rrezikon shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore.
Gjithnjë e më shumë vende të NATO-s, së fundi edhe Finlanda e Polonia, po u japin leje ukrainasve të përdorin armët e rënda të dhëna prej tyre për të goditur territorin rus. Amerikanët janë furnizuesit kryesorë të ushtrisë ukrainase me armatim.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se Rusia do të aktivizojë mbrojtjen me armë bërthamore, nëse Shtetet e Bashkuara afrojnë në Europë dhe në rajonin e Azi-Paqësorit, raketa me rreze të gjatë veprimi.