Rusia po bombardon ISIS dhe të tjerët, Putin i pakënaqur, Turqia në alarm

 

Rreth 69 avionë luftarakë rusë, po bombardojnë territorin sirian por Moska thotë se do të  përshkallëzohen sulmet ndaj bazave të ISIS-it në veri të vendit.

Presidenti Vladimir Putin thotë se niveli aktual i sulmeve ajrore nuk është i mjaftueshëm për të mposhtur të ashtuquajturin Shtet Islamik ndaj edhe pritet rritja e intensitetit në vazhdim.

Veç avionëve që ngrihen nga Latakia, Rusia thotë se është duke lëshuar edhe raketa me rreze të gjatë veprimi, që nisen nga luftë-anijet e vendosura në Detin Kaspik.

Raketat kanë goditur bazat e rëndësishme të ISIS-it në Deir al-Zour, zonë e pasur me naftë dhe e vendosur mes kryeqendrës së terroristëve, Raqqa dhe territoreve të kontrolluara prej tyre në Irak.

Drejtues të lartë të ushtrisë ruse deklaruan se kanë lëshuar 18 raketa vetëm të premten, duke shkatërruar shtatë baza të terroristëve në Idlib, Aleppo dhe Raqqa.

Sulmet ruse janë konfirmuar edhe prej Shteteve të Bashkuara. Koloneli Patrick Ryder tha se bombardimet e fundit kanë goditur mjaft baza të ISIS-it, përfshirë këtu edhe infrastrukturën e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës për Shtetit Islamik.

Uashingtoni këmbëngul se pjesa më e madhe e sulmeve të Moskës adresohen ndaj opozitës së moderuar siriane, e cila mbështetet nga Perëndimi në betejën e saj kundër presidentit Basha al-Assad.

Pjesë e bombardimeve ruse në Siri janë edhe disa fshatra të minoritetit turk në Siri, duke zemëruar Ankaranë. Ministria e Jashtme turke ka thërritur ambasadorin rus në kryeqytetin turk për t’i shprehur shqetësimin për bombardimet e Moskës në këtë zonë.

Përmes një deklarate, Turqia paralajmëroi se bombardimi i fshatrave me popullsi turke në Siri, mund të ketë “pasoja serioze”.

SHKARKO APP