Rusia regjistron mbi 10 mijë persona të infektuar me koronavirus brenda ditës. Presidenti: Situata mbetet shumë e vështirë
Rusia regjistroi të dielën 10,600 infeksione të reja me koronavirus, duke regjistruar shifrën më të lartë ditore.
Rusia tani është vendi evropian që regjistron infeksionet më të larta. Por shkalla zyrtare e vdekshmërisë është e ulët në krahasim me vendet si Italia, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan Afp.
Pesëdhjetë e tetë njerëz vdiqën gjatë 24 orëve të kaluara, duke sjellë numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 1.280.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin ka thënë se kryeqyteti rus, i cili është shfaqur si epiqendra e virusit, nuk ka kaluar ende kulmin e shpërthimit.
Moska regjistroi 5.948 raste të reja, duke e çuar totalin e kryeqytetit në 68.606.
Presidenti Vladimir Putin ka thënë se situata mbetet “shumë e vështirë”.
Përkundër rritjes së vazhdueshme të rasteve, qeveria ka treguar që gradualisht mund të heqë masat e izolimit nga 12 maji, por lehtësimi do të varet nga rajoni në rajon.
- Sobyanin tha të shtunën se rreth dy përqind e banorëve të Moskës – ose më shumë se 250,000 njerëz – kanë koronavirus.
Moska ka një popullsi prej 12.7 milion, por shifra e vërtetë besohet të jetë më e lartë. Banorët e kryeqytetit rus mund të dalin vetëm për të blerë, shëtitur qenin ose të derdhin mbeturinat.
Megjithë masat e bllokimit, numrat e infeksionit janë rritur me një normë alarmante çdo ditë në vendin më të madh në botë për nga hapësira gjeografike.
Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar që masat kufizuese, të quajtura ditë jo pune, të vazhdojnë deri më 11 maj.
Numri i vërtetë i të infektuarve
Kryetari i Bashkisë së Moskës Sergej Sobyanin paralajmëroi se kryeqyteti nuk e kishte arritur kulmin e pandemisë.
“Kërcënimi është dukshëm në rritje,” tha Sobyanin.
“Sipas testeve të shqyrtimit të grupeve të ndryshme të popullsisë, numri i vërtetë i të infektuarve është rreth dy përqind e popullsisë së përgjithshme të Moskës,” tha ai.
Sobyanin tha për stacionin televiziv Rossiya-1 se, nëse situata përkeqësohet, autoritetet mund të zvogëlojnë numrin e lejeve dixhitale të lëshuara për udhëtime nëpër qytet.
Ai tha se Moska kishte rritur ndjeshëm kapacitetin e testimit, duke shtuar se qyteti ka arritur të “përmbajë përhapjen e infeksionit” me zbatimin e rregullave të qëndrimit në shtëpi dhe masave të tjera.
Kryetari i Moskës tha se zyrtarët këtë javë po mendojnë të krijojnë spitale të përkohshme në komplekse sportive dhe qendra tregtare për t’u marrë me fluksin e pacientëve.