Rusia tërheq pajisjet ushtarake nga Siria
Një aeroplan rus i mallrave është larguar prej bazës ajrore Hmeimim që gjendet në perëndim të Sirisë, dhe është raportuar të jetë drejtuar kah Libia, teksa Moska vazhdon zbehjen e prezencës në territorin e aleates kryesore rajonale.
Duke cituar një zyrtar sirian që monitoron bazën, agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se disa aeroplanë tjerë transportues pritet të largohen nga baza në ditët në vijim, në kuadër të evakuimit, pas rrëzimit të regjimit të liderit sirian, Bashar al-Assad.
Në disa imazhe satelitore të 13 dhjetorit të kompanisë së teknologjisë hapësinore, Maxar, është parë se Rusia po përgatitet për tërheqje të pajisjeve ushtarake prej bazës Hmeimim.
Një aeroplan i madh transportues duke u përgatitur për bartje mallrash nga baza ushtarake Hmeimim. Fotografi e 13 dhjetorit 2024.
Një aeroplan i madh transportues duke u përgatitur për bartje mallrash nga baza ushtarake Hmeimim. Fotografi e 13 dhjetorit 2024.
Burimi i Reutersit nuk e ka përmendur modelin e aeroplanit që është larguar nga baza, më 14 dhjetor.
Reuters ka raportuar se në mëngjesin e 14 dhjetorit, një aeroplan mallrash Il-76 është parë në bazë, derisa disa helikopterë janë parë brenda perimetrit të bazës, e cila ka qenë thelbësore për strategjinë e Rusisë sa u ka ofruar ndihmë forcave të Assadit dhe aletëve të saj në luftën civile siriane.
Intervenimi i Rusisë në luftë, më 2015, i ka ndihmuar Assadit të qëndrojë në pushtet, mirëpo regjimi i tij është rrëzuar javën e kaluar, teksa organizata Hayar Tahrir al-Sham – e shpallur terroriste nga Shtetet Bashkuara – si dhe disa organizata tjera, disa të lidhura edhe me Turqinë, e kanë rrëzuar regjimin përmes një ofensive të shpejtë.
Rusia i ka ndihmuar Assadit që të largohet nga shteti dhe vetë presidenti rus, Vladimir Putin, ia ka garantuar azilin.
Rusia ka personel ushtarak edhe në bazën ajrore Al-Jufra në Libi.
Një numër mediash perëndimore janë duke raportuar se Rusia është duke i tërhequr forcat ushtarake dhe asetet që ka prej Sirisë, pas rrëzimit të Assadit nga pushteti.
Sipas ekspertëve, kjo situatë është “shuplakë në fytyrë” për Rusinë.
Moska e ka shfrytëzuar faktin se ka qenë mbështetësja kryesore e Assadit, dhe kështu e ka shtrirë ndikimin në Lindje të Mesme dhe më gjerë, duke e paraqitur veten si kundërpeshë e Perëndimit.
Tani, rënia e Assadit dhe largimi rus prej Sirisë, rrezikon ndikimin e Moskës, jo vetëm në Damask, por edhe në rajon.
Në raportimet e mëhershme është thënë se Rusia po negocion me autoritetet e reja në Damask, që t’i mbajë bazat ushtarake në Siri.
Përveç Hmeimimit, Rusia e ka edhe një bazë detare në Tartus të Sirisë./ REL