Rusia zbulon “tradhtinë”: Serbët po na qëllojnë pas shpine
Inteligjenca e Rusisë ka zbuluar atë që po konsiderohet nga spiunët e Putinit “një tradhti nga Serbia dhe përpjekje për t’i qëlluar pas shpine sllavët”. Përmes një deklarate me tone shumë të ashpra, thuhet se agjentët rusë kanë arritur të konfirmojnë faktin që kompanitë serbe të mbrojtjes kanë vazhduar të furnizojnë Ukrainën me municione, pavarësisht neutralitetit ushtarak të deklaruar nga Beogradi.
Skema e përdorur nga Serbia për kamuflim, sipas Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, konsiston në përdorimin e certifikatave false të përdoruesit fundor, mes tyre dhe vende të NATO-s që shfaqen shpesh si Polonia, Çekia dhe Bullgaria. Moska e konsideron veprimin e Beogradit, që ka dërguar për forcat e Kievit raketa, abusë dhe mbi një milionë fishekë, si një mbështetje për synimet e Europës për një disfatë strategjike të Rusisë.
“Nuk ka gjasa që dërgesa të tilla të justifikohen nga ‘konsiderata humanitare’. Ata kanë një qëllim të qartë – të vrasin dhe gjymtojnë personelin ushtarak rus dhe popullsinë civile të Rusisë”, deklaroi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë. Më pas përmenden me emër të gjitha kompanitë e industrisë së mbrojtjes serbe, të cilat akuzohen se po marrin pjesë në atë që Rusia e quan “rrip transportues të vdekjes”.
KOHA JONË SONDAZH

