Sa vlen nafta venezueliane? Një nga thesaret më të mëdha të energjisë në planet
Nafta venezueliane është një nga thesaret më të mëdha të energjisë në planet: mbi 300 miliardë fuçi, që përfaqësojnë 17-18% të rezervave globale. Kjo vlerë strategjike duket se ka nxitur, më shumë se çdo gjë tjetër, përshkallëzimin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe njoftimet e administratës Trump për qëllimin e saj për të marrë kontrollin e burimeve të vendit të Amerikës së Jugut. Nuk është rastësi që ish-Presidenti Maduro, në një nga deklaratat e lëshuara para kapjes së tij, theksoi se “Trump dëshiron të pushtojë vendin për të marrë naftën tonë”.
Rezervat e mëdha të naftës në Venezuelë, janë të përqendruara kryesisht në Rripin Orinoco. Ky rrip, afërsisht 600 kilometra i gjatë nga lindja në perëndim dhe 70 kilometra nga veriu në jug, ndodhet në Guárico (në pjesën qendrore të vendit) dhe ndjek vijën e lumit Orinoco. Venezuela mban rezervat më të mëdha në botë të naftës bruto ekstra të rëndë, e cila veçanërisht për rafinimin, kërkon kosto më të larta se normale. Pavarësisht kësaj, prodhimi aktual është jashtëzakonisht i ulët: nga mbi 3.5 milion fuçi në ditë në vitet 1970, ai ka rënë në rreth një milion për shkak të sanksioneve, investimeve të kufizuara dhe keqmenaxhimit nga PDVSA (kompania shtetërore e naftës).
Presidenti amerikan shpesh kishte përsëritur se, sipas tij, Venezuela kishte “vjedhur” naftën amerikane dhe se tani “Amerika do ta marrë atë përsëri”. Menjëherë pas operacionit, manjati tregoi se një nga qëllimet e tij ishte të përfshinte kompanitë e mëdha amerikane të naftës për të ringjallur industrinë venezueliane dhe për të përdorur burimet për qëllime ekonomike dhe strategjike për të dy vendet. Megjithatë, në këtë kohë, kompanitë e mëdha nuk kanë marrë asnjë angazhim të menjëhershëm. Për Shtetet e Bashkuara, kontrolli i rezervave venezueliane do të thotë një zgjerim i mundshëm i ndikimit të saj global në energji, por së pari, nevojiten investime të mëdha ekonomike dhe kohë për të modernizuar infrastrukturën.
Nëse objektivi i administratës Trump për të kontrolluar rezervat dhe prodhimin e naftës bruto do të materializohej, në afat të mesëm dhe të gjatë ka shumë të ngjarë që Venezuela të kthehet në nivelet e mëparshme të nxjerrjes, duke rritur prodhimin global të naftës dhe për këtë arsye duke ushtruar presion në rënie mbi çmimin e një fuçie.
KOHA JONË SONDAZH

