Sekretari Amerikan i Mbrojtjes: Kina një kërcënim për rendin botëror
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper e shikon Kinën si një kërcënim në rritje për rendin botëror duke thënë se kombi më i populluar në botë vjedh njohuri perëndimore, frikëson fqinjët më të vegjël dhe kërkon një ‘avantazh me çdo mjet dhe me çdo kusht’.
Një kritik i shpeshtë i Kinës, Esper përdori fjalimin në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Mynih, Gjermani, për të kritikuar vendin aziatik, për të cilin ai tha se kryeson listën e Pentagonit të kundërshtarëve të mundshëm, të ndjekur nga Rusia, ‘shtetet mashtruese’ si Koreja e Veriut dhe Irani, dhe kërcënimet e vazhdueshme nga grupet ekstremiste.
“Partia Komuniste Kineze po shkon edhe më shpejt dhe më tej në drejtimin e gabuar, më shumë shtypje të brendshme, praktika më ekonomike grabitqare, më të rënda dhe më shqetësuese për mua, një qëndrim ushtarak më agresiv,” tha ai.
Komentet e Esper u bënë pasi Departamenti i Drejtësisë i Sh.B.A goditi Huawei me 16 kallëzime të reja penale, ku akuzoi gjigandin e teknologjisë kineze për ‘komplot për të vjedhur sekretet shtetërore’.
Akuzat e reja, të cilat u zbuluan të martën, detajojnë një skemë për të vjedhur sekretet tregtare nga të paktën gjashtë kompani amerikane. Cisco dhe T-Mobile janë ndër viktimat e pretenduara në këtë rast, megjithëse kompanitë nuk janë emërtuar në aktakuzën e re, shkruan Daily Mail.
SH.B.A. ka emëruar gjithashtu CFO të kompanisë, Meng Wanzhou, në akuza. Ajo aktualisht është duke luftuar ekstradimin në Sh.B.A nga Kanada.
Këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brien ka akuzuar gjithashtu kompaninë për portat e fshehta në pajisjen e saj që lejojnë që ajo të hyjë fshehurazi në rrjetet e telefonisë celulare në të gjithë botën.
Zyrtarët thanë se kjo portë lejon kompaninë të hyjë në të dhënat e rrjetit pa dijeninë e transportuesit, duke i dhënë potencialisht qeverisë kineze një mjet të fuqishëm spiunimi.
Megjithëse Esper bëri komentet kritike për Kinën, ai gjithashtu theksoi se SH.B.A. nuk dëshiron konflikt.
Ai gjithashtu vuri në dukje se qeveria amerikane ka siguruar pajisje mjekësore për të ndihmuar Kinën të luftojë shpërthimin e koronavirusit që ka infektuar mbi 67,000 njerëz. Megjithatë, ai tha se Pekini i ka bërë të qarta qëllimet e saj afatgjata dhe tha se Evropa dhe pjesa tjetër e botës duhet të ‘zgjohen’ ndaj kërcënimeve që paraqet Kina.
/Ora News