
Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin në Greqi të një 26-vjeçari shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. I riu, me inicialet R. T., i lindur në Korçë, është ndaluar në Selanik me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Sipas autoriteteve, në vitin 2021, Gjykata e Korçës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se ngjarja ka ndodhur në vitin 2020 në Selanik, ku 26-vjeçari, së bashku me dy persona të tjerë, kanë dhunuar fillimisht një shtetas shqiptar me inicialet S. D. dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse, duke i shkaktuar vdekjen.
Rasti është denoncuar në Korçë nga familjarët e viktimës, ndërsa hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet greke.
Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Athinën për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 26-vjeçarit drejt Shqipërisë.