Sëmundje gastrointestinale në kroçerën Holland America, preken gati 90 persona
Pothuajse 90 persona në bordin e anijes luksoze “Rotterdam” të kompanisë Holland America, me bazë në Florida, kanë shfaqur “simptoma të sëmundjes gastrointestinale” nga një shpërthim norovirusi, duke detyruar një “sanitizim të plotë të anijes”, njoftuan zyrtarët të dielën. Anija ishte nisur nga Fort Lauderdale më 28 dhjetor dhe u kthye të premten, duke përfunduar një udhëtim që sëmuri 81 nga 2,593 pasagjerët dhe tetë nga 1,005 anëtarët e ekuipazhit, sipas Holland America dhe Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Kompania e lundrimit deklaroi se “gjatë udhëtimit të mëparshëm, një numër i mysafirëve në bordin e ‘Rotterdam’ raportuan simptoma të sëmundjes gastrointestinale. Rastet ishin kryesisht të lehta dhe u zgjidhën shpejt.” Ajo theksoi se “shëndeti i mysafirëve dhe ekuipazhit tonë është një prioritet kryesor dhe në përputhje me protokollet e CDC-së, ne kryem një sanitizim të plotë të anijes kur lundrimi përfundoi të premten në Fort Lauderdale.” Simptomat mbizotëruese të shpërthimit të norovirusit ishin të vjellat dhe diarreja, sipas CDC-së, e cila gjithashtu konfirmoi mbledhjen e mostrave të feçeve dhe izolimin e pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të sëmurë.
Ky është shpërthimi i dytë i norovirusit në të njëjtën anije, “Rotterdam”, brenda 11 muajsh. Më parë, disa ditë pas nisjes nga Fort Lauderdale më 2 shkurt, u raportuan 169 persona të sëmurë në bord.
KOHA JONË SONDAZH

