Serbi-Greqi-Bullgari-Maqedoni, aleancë kundër shqiptarëve?!
Nëse SHBA vazhdon me përkrahjen e pa rezervë të shqiptarëve dhe nëse BE hesht edhe më tej ndaj projektit të Shqipërisë së Madhe, kjo do të shpjerë tek formimi i Aleancës ortodokse të Serbisë, Greqisë, Bullgarisë e Maqedonisë kundër shqiptarëve , e ndoshta do të shkaktohej edhe Lufta e tretë Ballkanike.
Ky është përfundimi i raportit më të ri të CIA-s për gjendjen në rajon, në të cilin, sipas asaj që përcjell gazeta e Beogradit ‘Kurir’, administrata në Uashington tërheq vërejtjen se përkrahja e mëtejshme e fuqishme për shqiptarët, do t’i shtynte sllavët edhe në përqafim të Rusisë.
Informatorët në raportin e vet tërheqin vëmendjen se është krejtësisht e mundshme që Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia të krijojnë aleancë ortodokse mes tyre.
“Analistë amerikanë shkruajnë se shtetet ballkanike, territoret e të cilave janë të rrezikuar me projektin e Shqipërisë së Madhe, nuk do të rrinë duarkryq e të shikojnë të qetë se si shqiptarët ua marrin territoret. Aq më tepër, ata janë të bindur se në rast nevoje, serbët, grekët, bullgarët dhe maqedonasit do t’i bashkojnë forcat në luftën kundër shqiptarëve. Në këtë rast,Ballkani do shndërrohej në rajon sikur Lindja e Mesme e nuk është në interes të askujt, as të SHBA-ve”, thotë ‘Kurir’, referuar qarqeve të informuara diplomatike.
Kjo gazetë shton se në qeverinë e Serbisë askush nuk ka dashur t’i komentojë këto informata. Ndërsa ekspertët thonë se është krejtësisht i mundur skenari i aleancës ortodokse e ajo do të jetë ferrë në sytë e Perëndimit.
Analisti Gjorgje Vukadinoviç thotë është logjike reagimi ndaj përpjekjes për formimin e Shqipërisë së Madhe dhe shton se tash e më shumë se dhjetë vjet ekziston ideja për bashkimin e Ballkanit.
KOHA JONË SONDAZH

