Serbia e lirë, NATO i heq pengesat ajrore të vëna gjatë luftës
NATO i ka hequr ndalesat që ka aplikuar në hapësirat ajrore të Serbisë të vendosura në vitin 1999. Lajmi është dhënë nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç. Ai theksoi se KFOR-i ka vendosur ta qetësojë zonën e sigurisë.
“Këto ndalesa që ende janë të vlefshme për disa pjesë të Serbisë nuk do të ekzistojnë më”, tha Stoltenberg duke shtuar se kjo do të thotë integrim i plotë i Serbisë në hapësirën ajrore evropiane.
Ai u shpreh se ky është një veprim konkret për përmirësimin e marrëdhënieve NATO- Serbi.
Sipas Stoltenberg, vendimi është marrë si rrjedhojë e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e Brukselit.
Ndalesa ajrore ndaj Serbisë e njohur si Zona e Sigurisë Ajrore, në 16 vitet e fundit është zbatuar në një hapësirë ajrore prej 24 kilometra drejt Serbisë Qendrore duke filluar nga “kufijtë administrativë” me Kosovën. Stoltenberg sot ka nisur një vizitë 2-ditore në Serbi.