“Serbia nuk është më një thes për ta goditur”
Gjatë një paraqitje para gazetarëve në qeverinë serbe, Vuçiç tha se nuk ka asnjë njeri i cili do ta krahasonte Shesheljin me autoritetet e sotme Serbe dhe se parlamenti europian me këtë rezolutë dëshiron ta zvogëlojë reputacionin e Serbisë në botë.
"Serbia nuk është aq e parëndësishme dhe e vogël siç ishte, dhe nuk është një thes për ta goditur," tha Vuçiç dhe theksoi se rezoluta paraqet hipokrizinë, duke pyetur "a mendoni se askush në Serbi nuk mund t'ju përgjigjet?". Ai tha se nuk do të lejojë që Serbia të poshtërohet, siç tha, nga gënjeshtrat dhe të pavërtetat.
"Më shumë më shqetëson politika rreth çështjes së Ukrainës dhe atë që po ndodh në rajon," tha Vuçiç dhe shtoi se rezultati i kësaj rezolute "nuk është dobësia, por forca e Serbisë." Ai në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, nëse kjo rezolutë do të ndërpres marrëdhëniet e Serbisë me BE-në, ndër të tjera, tha se ndokujt nuk i pëlqen puna e qeverisë serbe.
Kryeministri serb gjithashtu kritikoi autoritetet kroate për rezolutën, duke theksuar se e tërë iniciativa ishte në kontekstin e fushatës zgjedhore.