Serbia pranon sistemin rus të mbrojtjes ajrore “Pancir S1”

Gjatë fundjavës, Serbia ka pranuar një dërgesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore ruse “Pancir S1”, megjithë paralajmërimet për sanksione të mundshme nga ana e SHBA-së kundër shtetit të Ballkanit, i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e bëri njoftimin më 23 shkurt një ditë pasi ministria e Mbrojtjes konfirmoi marrjen e dy prej gjashtë sistemeve kundër- ajrore.

“Serbia forcoi aftësitë e saj mbrojtëse dhe parandaluese”, tha ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate.

Presidenti Vuçiç ka thënë se sistemet u blenë pas sugjerimeve nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Bleni Pancirin, sepse më së miri e ka treguar efikasitetin në Siri”, e ka cituar Putinin, presidenti Vuçiç.

Pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, por jo anëtarësimin në NATO, Beogradi ka mbajtur marrëdhënie të afërta politike dhe ekonomike me Moskën.

Dorëzimi i sistemeve Pancir bëhet më pak se një javë pasi ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Beogradin, duke vlerësuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Serbia ka rritur shpenzimet e mbrojtjes çdo vit, që nga viti 2016.

Vitin e kaluar, ka shpenzuar 906 milionë dollarë, ose 28.7 përqind më shumë, për mbrojtje sesa një vit më parë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike (IISS).

Në tre vitet e kaluara, ushtria serbe ka blerë nga Rusia pesë helikopterë Mi-17V-5, katër helikopterë luftarakë Mi-35M dhe ka marrë gjashtë avionë të dhuruar MiG-29.

Për më tepër, Serbia vitin e kaluar mori 30 automjete të blinduara luftarake nga Rusia, si dhe 30 tanke të tjera T-72.

Në tetor 2019, Serbia mbajti stërvitje të përbashkëta ushtarake ajrore me Rusinë.

Kjo ishte hera e parë që një sistemi i mbrojtjes raketore S-400 dhe ai Pancir ishin shfaqur në një stërvitje ushtarake jashtë Rusisë, kishte deklaruar ministria ruse e Mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar sanksione kundër Serbisë, nëse blen armë që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje, që janë anëtare të NATO-s.

SHKARKO APP