Serbia taktikë ndryshe: Testim në masë për COVID 19
Serbia planifikon të ndryshojë taktikë në luftën me Covid-19, dhe ka vendosur të nisë testimet në masë të popullatës pasi vetëm izolimi në shtëpi i qytetarëve nuk ka efikasitetin e duhur.
Pas konsultimit me ekspertët kinezë të mbërritur në vend, presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se me strategjinë e re shpresohet që pandemia e koronavirusit të ndalet brenda muajit.
“Në 48 orët e ardhshme presim një rritje drastike të rasteve të konfirmuara pasi nisim testimet në masë. Kemi mjaftueshëm tamponë për ditët e para,” deklaroi Vuçiç.
Epidemiologët kinezë prej fundjavës po ndajnë përvojnën e tyre me personelin mjekësor serb, dhe protokollet e mënyrat si mund të kontrollohet virusi.
Shteti aziatik u ka dhuruar autoriteteve serbe pajisje të shumta respiratore, ndërsa sasi të tjera janë porositur të mbërrijnë në ditët e ardhshme.
Sipas Vuçiç, qytetarëve mund t’u duhet të qëndrojnë në shtëpi deri 28 ditë të tjera për ta mundur pandeminë.
Si masë parandaluese, në qendrat karantinore të ngritura nga shteti do të futen edhe personat e sëmurë lehtë që u sugjerohej vetizolimi në banesa.
“Jemi gati të ngremë menjëherë 3 mijë shtretër për pacientët simptoma nga më të lehtat të sëmundjes, deri sa të shërohen plotësisht që të mos infektojnë të tjerët,” shtoi kreu i shtetit.
Serbia aktualisht numëron gati 250 pacientë me koronavirus dhe 3 viktima që nga data 6 mars.
Vendi zbaton me rigorozitet orët policore me ndalimqarkullim për qytetarët dhe automjetet.
Në aspektin financiar, presidenti Vuçiç thotë se kriza pritet ta ulë në minus 2 për qind rritjen ekonomike në këtë periudhë, por pensionet apo pagat në shtet nuk do të preken, dhe kompanitë do të mbështeten financiarisht që të mos heqin nga puna stafin e tyre.