Serbia tregon synimet ndaj Kosovës, deputeti i Sanxhakut: Deklarata kërcënim për rajonin

Për ditë me radhë, parlamenti serb po diskuton për miratimin e deklaratës së “botës serbe” me 49 pika, të cilën qeveria e Millosh Vuçeviç kërkon ta shndërrojë në një kushtetutë të re. Miodrag Linta, deputet i Partisë Progresive Serbe në pushtet, e konsideroi dokumentin në fjalë një bazë për atë që e quajti mbijetesë të populist serb në rajon. Ai tregoi synimet e vërteta të deklaratës duke konfirmuar se Serbia kërkon që bota të dijë se Kosova është pjesë e pandashme e saj.

Aleksandër Ivanoviç nga Lëvizja Kombëtare e Serbisë në opozitë, akuzoi qeverinë për mashtrim dhe për politika të këqija ndaj Kosovës. “Shqiptarëve u keni dhënë gjithçka”, u shpreh ai. Opozitarit iu përgjigj shefi i grupit parlamentar të SNS, Milenko Jovanov, që akuzoi Ivanoviçin se ka shitur të gjitha pronat e tij në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, u përpoq të mbronte deklaratën e botës serbe duke pretenduar se nuk është kundër asnjë kombësie në Ballkanin Perëndimor, duke harruar që në të bëhet thirrje për të futur sërish Kosovën brenda Serbisë dhe ndërhyrje në Republika Srpska të Bosnje dhe Hercegovinës.

“Thelbi i deklaratës është nevoja për të ruajtur traditat, gjuhën, kulturën, shkrimin dhe të drejtat e popullit serb kudo që jeton”, tha ish kryeministrja. Përballjen me realitetin ia bëri Ahmedin Shkrijeli nga Partia e Veprimit Demokratik të Sanxhakut. “Deklarata e propozuar është kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, theksoi deputeti. Gjatë prezantimit të deklaratës, kryeministri serb, Millosh Vuçeviç, e konsideroi atë një bazë të mirë politike për të luftuar për Kosovën dhe serbët në rajon.

SHKARKO APP