Shantazhi ndaj familjes Schumacher, gjykata gjermane konfirmon dënimet për dy të akuzuarit

Gjykata rajonale e Wuppertal-it ka lënë në fuqi vendimin për dy personat e akuzuar për tentativë shantazhi ndaj familjes së legjendës së Formula 1, Michael Schumacher. Gjatë procesit të apelit, trupi gjykues konfirmoi dënimin me 3 vjet burg për Yilmaz T. për tentativë zhvatjeje. Bashkëpunëtori i tij, Markus F., një ish-punonjës sigurie, mori një dënim me 2 vjet heqje lirie me kusht për rolin e tij si bashkëpunëtor. Vendimi u mor pasi në seancat e apelit nuk u paraqitën prova apo dëshmitarë të rinj që mund të ndryshonin rrjedhën e gjykimit.

Akuzat ndaj tyre lidheshin me një kërcënim serioz për të publikuar rreth 1500 dosje private në “Darknet”. Ky material i ndjeshëm përfshinte foto personale, video dhe dokumente konfidenciale mjekësore të Schumacher, të cilat detajonin gjendjen e tij pas aksidentit të rëndë në vitin 2013. Për të mos i bërë publike këto të dhëna, shantazhuesit i kishin kërkuar familjes së kampionit një shumë prej 15 milionë eurosh.

Procesi i apelit ishte iniciuar si nga të pandehurit, të cilët kërkonin ulje të dënimit, ashtu edhe nga prokuroria. Familja Schumacher shpresonte për një ndëshkim më të rëndë ndaj Markus F., duke e akuzuar atë për vjedhjen e materialit delikat gjatë kohës që punonte në rezidencën e tyre. Megjithatë, shanset për një dënim më të ashpër u zbehën kur Yilmaz T. dhe djali i tij, i përfshirë në rastin fillestar por jo në apel, vendosën të mos dëshmonin në gjykatë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?