SHBA dhe BE sanksionojnë Rusinë pas helmimit të Navalnyt
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar për sanksione të koordinuara kundër zyrtarëve rusë, pas helmimit dhe burgosjes së liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, teksa administrata presidentit amerikan Joe Biden synon të ketë “qasje krejt ndryshe” me Moskën dhe front të përbashket me bllokun evropian kundër “sjelljes së papranueshme të Moskës”.
Uashingtoni ka thënë se do të sanksionojnë shtatë pjesëtarë të Qeverisë ruse dhe do të vendosë kufizime në eksport ndaj 14 zyrtarëve të përfshirë prodhim biologjik dhe kimik, duke përfshirë nëntë subjekte komerciale në Rusi.
Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë gjatë njoftimit, se SHBA-ja ka rënë në përfundim dhe “beson shumë” se zyrtarët rusë kanë qenë mbrapa helmimit të Navalnyt në gusht.
Ky njoftim ka ardhur teksa Bashkimi Evropian ka sanksionuar katër zyrtarë rusë.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të publikojnë edhe emrat e shtatë individëve më vonë gjatë ditës.
“Ne kemi shfrytëzuar autoritetetin tonë për të dërguar sinjal të qartë se përdorimi i armëve kimike nga ana e Rusisë përbën shkelje të përkushtimeve për të drejta të njeriut dhe kjo ka pasoja të rënda”, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan më 2 mars.
“Ne ndajmë qëndrimin e BE-së, që Rusia është duke rrëshqitur drejt autoritarizmit”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës.
Sipas një zyrtari amerikan, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen në javët në vijim “për një numër të veprimeve destabilizuese” të Rusisë, duke përfshirë hakimet në kompaninë softuerike Solar Winds dhe shpërblimet për vrasjen e amerikanëve në Afganistan.
Navalny 44-vjeçar, udhëheqës i lëvizjes kundër korrupsionit dhe kritiku më i madh i presidentit rus Vladimir Putin, është arrestuar më 17 janar, pasi është kthyer nga Gjermania, ku është trajtuar për pesë muaj nga helmimi me agjent nervor.
Ai beson se urdhri për helmim është dhënë nga Putin.
Autoritetet ruse, në anën tjetër, hedhin poshtë akuzat./REL/