SHBA publikon të dhënat e sigurisë për vaksinën e grupit Pfizer
Rregullatorët shëndetësorë në SHBA, konfirmuan sot se vaksina e koronavirusit Pfizer/BioNTech Covid është 95% efektive, çka i hap rrugë aprovimit zyrtar të saj atje për përdorim emergjence. Adminsitrata amerikane pritet të japë të enjten aprovimin e saj zyrtar për injeksionin.
Mes detajeve të tjera thuhej se të dhënat e testimeve “i përshtaten” rekomandimeve dhe kritereve për përdorim emergjence. Në Britani vaksina është miratuar javës që shkoi. Krye-mjeku infeksionist i SHBA, Dr Anthony Fauci, kërkoi falje për disa komente të mëparshme ku dukej se kritikonte vendimin britanik për aprovimin e vaksinës Pfizer/BioNTech.
Ai tha për rrjetin BBC se procesi amerikan “kërkon më shumë kohë se ai në Britani. Nuk desha të nënkuptoj mungesë aftësie në këtë drejtim”. Në materialet e publikuara nga adminsitrata amerikane tregohej se vaksina është 95% efektive kundër Covid-19, sic ishte deklaruar nga vetë kompania prodhuese Pfizer. Dy doza të saj nevojiten për krijimin e mbrojtjes së plotë, të cilat japin nivele të ngjashme mbrojtjeje, si personat që e kanë kaluar infeksionin Covid 19.